Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka njoftuar se sot, më , kanë vazhduar inspektimet për produktet e qumështit me bazë bimore, të cilat AUV-i ditë më parë ka urdhëruar heqjen nga tregu i shitjes në Republikën e Kosovës.
Sipas njoftimit, në kuadër të kontrolleve lidhur me përbërjen dhe deklarimin e produkteve të qumështit dhe produkteve të ngjashme, në orët e paradites janë realizuar shtatë inspektime në markete të klasit B dhe C në regjionet e Prishtinës dhe Prizrenit.
“Gjatë inspektimeve janë vërejtur disa produkte që përmbajnë yndyrë me bazë bimore, të cilat janë evidentuar dhe, me urdhër të IQMT-së, janë larguar nga raftet e shitjes”- thuhet në njoftim. Ndërsa është bërë e ditur se produktet e tërhequra gjatë kontrolleve janë: Holla Schmand – 400 gramë, Holla Cooking Cream, 1 litër, Magic Krem – 800 gramë.
Tutje në njoftim thuhet se Inspektimet në ditët e radhës do të vazhdojnë më listën e zgjeruar të produkteve të identifikuara nga AUV dhe të publikuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Në njoftimin e bërë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit është treguar edhe për produktet e prodhuara nga kompania Abrazen LLC – Qumështorja Vita, të cilat duhet të tërhiqen nga tregu menjëherë.
“Schmand, 18 %, 180 g, Schmand, 18 %, 800 g, Schmand, 18% 400 g, Holla Dessert 1L, Holla Barista, 3.8%, 1L, Graden Milk, 1L, Holla Cooking Cream, 1L, Mushroom Cream Cheese, 200 g, Qumësht “My Cow” 3.2%, 1L, Qumësht UHT “My Cow” 3.2%, 1L, Qumësht UHT “Land” 3.2%, Djathë i bardhë 100% 250g”- thuhet në njoftim.
Ndërsa thuhet se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit në baza ditore sipas raporteve nga inspektorët e IQMT-së do ta njoftojë opinionin publik për produktet e hequra nga tregu në mënyrë që të parandalohet mashtrimi i mëtutjeshëm i konsumatorëve.
