Gjuha hegjemoniste dhe kërcënuese e Beogradit, armatosja e Serbisë dhe deklaratat e fundit e presidentit të Serbisë për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër, kanë rikthyer në vëmendje shqetësimet për sigurinë e Kosovës.
Në Prishtinë, në Konferencën e 9-të të Ambasadorëve, krerët institucionalë kërkuan që këto zhvillime të trajtohen seriozisht nga partnerët ndërkombëtarë dhe që Kosova t`i forcojë më tej aleancat e saj të sigurisë.
Retorika hegjemoniste e Serbisë, kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës dhe nevoja për forcimin e aleancave ndërkombëtare ishin në fokus të Konferencës së 9-të të Ambasadorëve, që po mbahet në Prishtinë.
Para ambasadorëve të Kosovës të akredituar në vendet perëndimore, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kërkoi që Serbia të përballet me drejtësinë për sulmin terrorist në Banjskë e Ibër-Lepenc, duke kërkuar që përgjegjësit, përfshirë Milan Radojiçiqin, të dalin para drejtësisë.
Haxhiu kërkoi gjithashtu që Serbia t`i hapë arkivat për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, derisa retorikën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq për Ujmanin, e cilësoi si një tjetër sinjal shqetësues për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.
“Siç e dini, Ibër-Lepenci dhe liqeni i Ujmanit janë pjesë e një sistemi jetik për furnizimin me ujë, për energjinë, bujqësinë dhe jetën e qindra mijëra qytetarëve të Kosovës.
Ndërhyrja njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasoja shumë përtej një çështjeje teknike, ngaqë do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës sonë ”, tha Albulena Haxhiu, u.d presidente e Kosovës. Edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti foli për ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe për rritjen e kapaciteteve ushtarake të Serbisë.
Ai tha se kjo nuk duhet parë vetëm si forcim i ushtrisë serbe, por edhe në kontekstin e gjuhës hegjemoniste të Beogradit ndaj Kosovës. “Zhvillimet gjeopolitike të kohës sonë, përfshirë ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, kanë rritur ndjeshmërinë e sigurisë në rajon.
Zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjesht përpjekje për të modernizuar ushtrinë e saj, por një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike, e cila lidhet drejtpërdrejt me synimet e saj hegjemoniste karshi rajonit tonë, e veçanërisht Kosovës” , tha Albin Kurti, kryeministër në detyrë.
Në këtë kontekst, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin e Ballkanit.
“Retorika e pandryshuar agresore e politikës zyrtare serbe kundrejt Republikës së Kosovës dëshmon se Serbia është burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen rajonale dhe evropiane. , deklaroi ai. Në Konferencën e 9-të të Ambasadorëve, me temën”, tha Glauk Konjufca, ministër në detyrë i MPJD-së.
Në Konferencën e 9-të të Ambasadorëve me temën “Kosova në një botë në ndryshim: Siguria, Partneriteti dhe Zhvillimi, forcimi i partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, rritja e kapaciteteve të sigurisë dhe avancimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare” u theksuan si prioritete për përballjen me sfidat e reja të sigurisë.
