“Arritje e madhe, Kosova më e sigurt”, vlerësohet pozitive nisja e

0%

Gjatë ditës së sotme, KFOR-i bëri të ditur se ka nisur tranzicionin gradual i pranisë së tij nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë pas 27 vitesh. Në një përgjigje të KFOR-it për KosovaPress thuhet se kjo është bërë në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

“Misioni KFOR, i udhëhequr nga NATO-ja, ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it” , thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Sot u bë e ditur gjithashtu se ka nisur integrimi gradual i Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit. Sipas profesorëve universitarë e ekspertëve të sigurisë, kjo po vlerësohet si pozitive dhe se situata e sigurisë tash është përmirësuar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Profesori universitar, Dorajet Imeri për KosovaPress tha se tërheqja graduale e trupave të KFOR-it po vjen si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve të sigurisë të Kosovës, sidomos në luftën kundër strukturave ilegale dhe grupeve tjera që kanë vepruar konform instruksioneve të Serbisë. Imeri tha se institucionet qendrore të vendit duhet të vazhdojnë me qasjen profesionale.

Këto zhvillime ai i konsideroi si arritje e madhe dhe si një besim që kanë NATO përmes KFOR-it ndaj Policisë së Kosovës.

Imeri: Arritje shumë e madhe dhe besim i NATO-s ndaj Policisë së Kosovës “Institucionet e Republikës duhet që të vazhdojnë me një qasje profesionale dhe gjithëpërfshirëse sikur deri tani, duke udhëzuar vazhdimisht situatën në raport me rrezikun përmes patrullimeve dhe praktikave të tjera tashmë të njohura të institucioneve të Republikës.

Policia e Kosovës deri tani ka garantuar siguri për të gjithë qytetarët, pavarësisht dallimeve etnike, për çka është vërtetuar se kjo qasje profesionale ka prodhuar edhe rezultat. Unë konsideroj që kjo është një arritje shumë e madhe dhe është mbi të gjitha besim që NATO përmes KFOR-it ka ndaj Policisë së Kosovës.

Është konfirmim i rritjes së paqes dhe sigurisë, si dhe është konfirmim i rritjes së kapaciteteve të institucioneve të Republikës së Kosovës, në veçanti atyre të sigurisë, për të marrë përsipër këto lloj funksionesh”, tha Imeri.

Ndërsa eksperti i sigurisë Mentor Vrajolli tha se Kosova është më e sigurt se sa ka qenë ndonjëherë dhe se kjo mund të jetë edhe shtyesë që KFOR-i ka marrë këtë vendim.

Vrajolli: Kosova më e sigurt se sa ka qenë ndonjëherë, Policia po ofron siguri për të gjitha komunitetet “Duke marrë parasysh që KFOR-i zyrtarisht ka dalë me deklaratë që kjo ka të bëjë me përmirësimin e sigurisë, atëherë duhet të shihet në këndvështrim pozitiv ky zhvillim. Kjo jo domosdoshmërisht nuk do të prodhojë ndonjë konflikt në pjesën veriore apo në pjesët e tjera të Kosovës.

Mendoj që Policia e Kosovës është duke bërë punën ashtu si duhet, është duke ofruar siguri për të gjitha komunitetet dhe Kosova është më e sigurt se sa ka qenë ndonjëherë edhe për faktin që në pjesën veriore tashmë është bërë një progres jashtëzakonisht i madh. Mbase kjo ka shtyrë këtë vendimmarrje edhe të KFOR-it për me u tërheqë”, tha Vrajolli.

Më tej, KFOR-I theksoi se për procesin e tërheqjes së trupave të KFOR-it mbi lumin Ibër ka qenë i informuar rregullisht edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq. Gjithashtu u potencua se personeli i KFOR-it është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant.

Burimi: Bota Sot