Në kuadër të DokuKids, DokuFest bashkoi fëmijët, teknologjinë, artin dhe kreativitetin në një hapësirë ku idetë shndërrohen në vepra konkrete. Në këtë aktivitet morën pjesë Telegrafi, IPKO dhe BONEVET. Korab Basha nga Telegrafi ishte pjesë e programit si trajner, duke i udhëhequr fëmijët në realizimin e video-stories dhe filmave dokumentarë.
Aktiviteti i BONEVET, me temën “Qyteti i së ardhmes”, u dha fëmijëve të moshës 8–12 vjeç mundësinë të njihen me energjinë e ripërtëritshme përmes eksperimenteve me panele diellore, turbina me erë dhe prodhimin e hidrogjenit. Në fund, ata ndërtuan maketën e qytetit të tyre të së ardhmes.
Përmes artit, teknologjisë dhe punës praktike, fëmijët mësuan të bashkëpunojnë, të zgjidhin probleme dhe mbi të gjitha, të mendojnë si krijues. Për Korab Bashën, iniciativa të tilla janë një investim në kulturën dhe artin e së ardhmes: “Ndoshta mes këtyre fëmijëve është një regjisor, një kameraman apo një fotograf që nesër do t’i japë një dimension të ri DokuFestit”.
Kjo frymë, sipas tij, duhet të shtrihet edhe në qytete të tjera të Kosovës, në mënyrë që fëmijët të kenë sa më herët mundësinë të zbulojnë fuqinë e filmit, fotografisë dhe tregimit vizual. Sepse një festival i madh nuk ndërtohet vetëm me filma. Ndërtohet duke rritur gjeneratën që nesër do t’i krijojë ata.
