Duke parë se si pushtetarët, partitë, individët dhe grupe të caktuara po koketojnë me ideologjinë islamike – duke krijuar një imazh tmerrësisht negativ përballë botës demokratike, të qytetëruar e të lirë perëndimore, e cila na ndihmoi të çlirohemi dhe të bëhemi shtet i lirë, laik dhe europian, e jo një lloj shteti islamik në mesin e Europës – mund të them se së shpejti rezidenca e pritjes së përfaqësuesve diplomatikë perëndimorë nuk do të jetë më qeveria e as ndonjë institucion tjetër.
Përkundrazi, ajo do të jetë Katedralja „Nënë Tereza“ në Prishtinë dhe Kisha e Shën Abrahamit në Llapushnik , të cilat po i mbajnë të gjalla shtyllat e identitetit kombëtar, respektivisht për „Atdhe e fe“ dhe rrugën e Dardanisë europiane, sipas shembullit të Pjetër Bogdanit, Idriz Seferit, Nënë Terezës dhe Ibrahim Rugovës.
Koha do ta dëshmojë se, nëse vazhdohet kështu me futjen e ideologjisë islamike në çdo fushë të jetës institucionale e private, do të vijë dita kur bota e civilizuar që na ndihmoi do të zhgënjehet.
Ajo do të ndërpresë marrëdhëniet me institucionet tona, do të izolojë shtetin dhe do të heqë ndihmat apo mbështetjen si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në atë të ekonomisë dhe integrimit euroatlantik.
Sepse ata nuk e kanë ndihmuar popullin e Kosovës që të krijojë një shtet me ideologji fetare islamike, katolike apo ndonjë tjetër, por që të bëhet i lirë, i qytetëruar, i pavarur dhe një ditë pjesë e barabartë e familjes europiane.
