KFOR-i e konfirmon largimin gradual nga Ura e Ibrit

0%

Misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO, ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Kjo është bërë në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, si pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it.

Kështu ka bërë të ditur Zyra për Informim Publik e KFOR-it, më , e cila tha se gjeneralmajori Ozkan Ulutash, komandanti i misionit të KFOR-it, vazhdon të jetë në kontakt të ngushtë me të gjithë homologët e tij kryesorë në institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë.

“Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushte dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”- thuhet në njoftimin e KFOR-it.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

KFOR-i thekson se do të mbajë një prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe Mitrovicën e Veriut, si dhe në veriun e Kosovës, duke vazhduar të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjitha komunitetet.

“Personeli ynë është i pozicionuar në mënyrë të përshtatshme për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin e kahershëm të KFOR-it të bazuar në Kombet e Bashkuara”- ka thënë KFOR.

Në anën tjetër, Lista Serbe, në emër të popullit serb, ka shprehur kundërshtim të fuqishëm ndaj, siç thonë ata, tërheqjes apo çdo zvogëlimi të pranisë së pjesëtarëve të KFOR-it në urën kryesore mbi Ibër. Madje, ata thonë se kanë kërkuar një takim urgjent me komandantin e KFOR-it.

“Duke pasur parasysh situatën jashtëzakonisht të ndërlikuar politike dhe të sigurisë, si dhe faktin se hapësira e urës kryesore ka qenë për dekada vend i tensioneve dhe përleshjeve serioze, konsiderojmë se çdo vendim që mund të ndikojë në sigurinë në këtë lokacion të ndjeshëm duhet të merret me kujdesin më të madh të mundshëm dhe duke marrë plotësisht parasysh shqetësimet e qytetarëve”- thuhet në reagimin e tyre.

Lista Serbe pretendon se pjesëtarët e Policisë së Kosovës, me veprimet e tyre deri më tani, nuk kanë ndërtuar besimin e popullit serb. Përkundrazi, sipas Listës Serbe, veprimet e Policisë në situata të shumta kanë qenë të paligjshme dhe të drejtuara kundër popullit serb dhe institucioneve të tij.

Ky subjekt politik e ka ftuar KFOR-in të ruajë një prani adekuate në urën kryesore dhe që, përmes veprimeve të tij, të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit për të gjithë qytetarët.

“Prandaj, presim që KFOR-i ta shqyrtojë me seriozitetin më të madh shqetësimin e qytetarëve dhe të mos ndërmarrë hapa që mund të cenojnë ndjenjën e sigurisë ose të përkeqësojnë më tej situatën tashmë të ndërlikuar në terren”- deklaroi Lista Serbe.

KALLXO.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës për ta pyetur nëse ka nisur të marrë përgjegjësinë për sigurinë në Urën e Ibrit, mirëpo deri në publikimin e këtij artikullit të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. Një nismë për hapjen e Urës së Ibrit ka qenë në gusht të vitit 2024, dhe përkundër inspektimeve, ngjyrosjeve, vizitave dhe diskutimeve për hapjen, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Institucionet qendrore kishin deklaruar se do të vazhdonin konsultimet dhe koordinimet me partnerët lidhur me çështjen e Urës së Ibrit. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, kishte thënë se çdo vendim lidhur me Urën e Ibrit duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim në kohë dhe efektiv me partnerët ndërkombëtarë.

Në Mitrovicë , më , u vu guri i themelit për dy ura të reja mbi lumin Ibër , me një kosto prej afro 3 milionë euro. Të dyja janë lëshuar për qarkullim. Njëra prej tyre është lëshuar për qarkullim për vetura dhe këmbësorë në fund të gushtit 2025 kurse tjetra në dhjetor 2025.

Burimi: Kallxo