Presidenca e Kosovës si garanci për koalicionin e ardhshëm LVV-LDK

0%

Në themel të bllokimit aktual për formimin e institucioneve të Kosovës mund të fshihet një çështje më e thellë se thjesht ndarja e posteve: si të ndërtohet një koalicion qeveritar, i cili mund t’i përmbushë detyrimet ndërkombëtare, pa u shpërbërë kur kostoja politike e angazhimeve të ndërmarra të bëhet tepër e lartë?

Bllokimi aktual institucional paraqitet si çështje numrash dhe ndarje postesh. LVV-ja e Albin Kurtit doli e para në zgjedhje, por s’e ka e vetme shumicën e nevojshme. Prandaj, LDK-ja e Lumir Abdixhikut pritet të luajë rol vendimtar në formimin e shumicës së ardhshme. Bisedimet po zhvillohen, ndër të tjera, edhe për presidencën e Republikës.

Teksa mund ta shohim si negociatë të zakonshme për ndarjen e pushtetit, kërkesa e LDK-së mund të interpretohet edhe si apel për garanci përpara një koalicioni të mundshëm me LVV-në.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Problemi real me të cilin mund të përballet ky koalicion nuk ka të bëjë veç me ndarjen e posteve ministrore, por lidhet edhe me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, veçanërisht ato që burojnë nga procesi i Brukselit dhe Aneksi i Ohrit. Paradoksi i Brukselit dhe Ohrit Kryeministri Albin Kurti e ka pranuar në vitin 2023 kornizën e propozuar në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Pranimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare nuk do të thotë domosdoshmërisht se gjithë pasojat e saj janë të lehta për t’u përballuar në planin e brendshëm. Asociacioni i komunave me shumicë serbe është shembulli më i ndjeshëm. Për Bashkimin Evropian, detyrimet e marra në kuadër të dialogut duhet të zbatohen.

Brukseli vijon ta konsiderojë normalizimin me Serbinë element thelbësor të rrugëtimit evropian të Kosovës. Aneksi i Ohrit, ndër të tjera, parashikon që Kosova të angazhohet në negociata për aranzhime që garantojnë një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb. Për LVV-në, megjithatë, kjo çështje është veçanërisht e ndjeshme.

Vetëvendosja ka çuar përpara në publik idenë e sovranitetit të fortë dhe shtetit unitar të Kosovës. Prandaj, një strukturë institucionale e veçantë për komunitetin serb ngjall mosbesim të thellë brenda kësaj lëvizjeje.

Ndaj ekziston një kontradiktë të cilën qeveria e ardhshme do të duhet, herët a vonë, ta zgjidhë: korniza ndërkombëtare është pranuar, por disa prej pasojave që prodhon janë politikisht shumë të vështira, madje të pamundura, për t’u mbrojtur nga Lëvizja Vetëvendosje. Dilema e LDK-së LDK-ja ndodhet në një pozitë tjetër.

Ajo i përket traditës politike më institucionaliste, me lidhje më të ngushta strategjike me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Për këtë arsye ka më shumë gadishmëri t’i marrë në konsideratë dhe t’i respektojë detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, edhe kur ato janë të vështira për t’u mbrojtur politikisht. Por kjo pikë mund të shndërrohet në kurth politik në të ardhmen.

Le të marrim skenarin e koalicionit LVV-LDK. Qeveria formohet dhe Brukseli dhe Uashingtoni kërkojnë përparim konkret në zbatimin e detyrimeve që burojnë nga Brukseli dhe Ohri. LDK-ja kërkon ruajtjen e besueshmërisë ndërkombëtare të Kosovës dhe perspektivën evropiane.

LVV-ja, nga ana tjetër, përballet me një pjesë të elektoratit të vet për një çështje që cek drejtpërdrejt identitetin e saj politik. Pikërisht këtu shfaqet rreziku i përçarjejes. Nevojitet të merret një vendim i vështirë. Kostoja politike rritet. LVV-ja përballet me presionin e bazës.

Koalicioni fillon përçarjen, ndërsa partneri që ka marrë përsipër kompromisin mund të përfundojë duke e mbajtur i vetëm koston politike. Në këtë skenar, LDK-ja bëhet pjesë e qeverisë në emër të përgjegjësisë shtetërore dhe akuzohet nga partneri në koalicion për “shitje të interesave kombëtare” kur kompromiset e nevojshme bëhen të papëlqyeshme.

Presidenca si sigurim politik Pikërisht në këtë këndvështrim kërkesa për presidencën merr kuptim tjetër. Ajo nuk është thjesht kërkesë për prestigj apo dëshirë për pjesëmarrje në pushtet, por për siguri politike. Nëse të dyja partitë duhet të qeverisin së bashku, duhet t’i bashkëndajnë edhe rreziqet politike të vendimeve që merren.

Presidenca, natyrisht, nuk do t’i mundësonte LDK-së të kontrollonte qeverinë, por i jep asaj një pozitë institucionale autonome dhe kontribuon në balancimin e koalicionit, në të cilin LVV-ja ka kryeministrin dhe peshën më të madhe parlamentare.

Logjika është kjo: nëse duhet t’i përballojmë së bashku pasojat e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës, asnjëri prej partnerëve nuk duhet të ketë mundësi, në momentin kur kostoja politike bëhet tepër e lartë, ta paraqesë veten si spektator apo viktimë e vendimeve të marra nga koalicioni.

Prandaj, LDK-ja e kërkon presidencën sepse e di se detyrimet ndërkombëtare do rikthehen në tryezë, duke qenë e gatshme të marrë pjesën e saj të përgjegjësisë dhe me besimin se nuk do akuzohet si përgjegjëse politikisht për vendimet e marra bashkërisht. Po sikur Prishtina të mos arrijë ta zgjidhë këtë kontradiktë? Kjo pyetje shkon përtej koalicionit të ardhshëm.

Dialogun në Bruksel është instrumenti kryesor i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ky mekanizëm presupozon që kompromiset e negociuara të shndërrohen në vendime politike. Ç’ndodh nëse institucionet e Kosovës mbeten të bllokuara për një kohë të gjatë, apo çdo përpjekje për zbatimin e detyrimeve shkakton një krizë të re politike?

Partnerët perëndimorë mund të arrijnë në përfundimin se problemi nuk është vetëm vështirësia e dialogut me Beogradin, por edhe aftësia e Prishtinës për të zbatuar detyrimet që vetë i ka pranuar. Do të ishte e parakohshme të themi se Brukseli apo Uashingtoni po shqyrtojnë tashmë kthimin e çështjes në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Raportet aktuale të forcave, veçanërisht pozicioni i Rusisë dhe Kinës, e bëjnë një perspektivë të tillë jashtëzakonisht komplekse. Por pyetja meriton të shtrohet në kontekstin e sotëm gjeopolitik. Lufta në Ukrainë e ka rritur rëndësinë strategjike të stabilitetit të Ballkanit për Evropën.

Nëse institucionet e Kosovës tregohen për një kohë të gjatë të paafta për t’i zgjidhur kontradiktat e tyre, presioni më i madh ndërkombëtar dhe përfshirja më e drejtpërdrejtë e partnerëve perëndimorë janë skenarë që nuk mund të përjashtohen plotësisht.

Paradoksi do të ishte i madh: sa më shumë që Kosova kërkon të afirmojë sovranitetin e saj politik, aq më shumë paaftësia për t’i zgjidhur kontradiktat e veta mund të shkaktojë rikthimin e ndërhyrjes së jashtme.

Një koalicion i bazuar në ndërvarësi Ndoshta ekziston, pas negociatave të tanishme, një realitet që të dyja palët preferojnë të mos e shprehin hapur: LVV-ja dhe LDK-ja nuk i besojnë mjaftueshëm njëra-tjetrës që koalicioni i tyre i ardhshëm të mbështetet vetëm në vullnetin e mirë të liderëve të tyre.

Por një koalicion demokratik nuk ka nevojë domosdoshmërish për besim absolut ndërmjet partnerëve. Ai ka nevojë për mekanizma që e bëjnë të kushtueshme prishjen e koalicionit dhe e vështirësojnë politikisht mungesën e besnikërisë ndaj partnerit.

Nëse LDK-ja ka frikë se do braktiset pasi të ketë marrë përsipër vendimet e vështira që lidhen me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, ajo kërkon garanci. Nëse LVV-ja ka frikë se LDK-ja do ta shtyjë qeverinë në një drejtim që bie ndesh me mandatin e saj politik, edhe ajo kërkon garanci.

Prandaj, zgjidhja, me gjasë, nuk është t’u kërkohet të dyja partive që t’i besojnë njëra-tjetrës, por të ndërtohet një sistem në të cilin asnjëra prej tyre të mos ketë interes ta “tradhtojë” tjetrën.

Kjo mund të realizohet përmes presidencës, por edhe përmes një marrëveshjeje të qartë koalicioni, mekanizmave të konsultimit për çështjet e ndjeshme, një ndarjeje të qartë të përgjegjësive institucionale dhe garancive politike reciproke. Me fjalë të tjera, nuk bëhet fjalë për të ndërtuar një koalicion të bazuar në besim, por një koalicion të bazuar në ndërvarësi.

Ky mund të jetë kushti që një aleancë ndërmjet LVV-së dhe LDK-së të mbijetojë përballë testit të parë të vërtetë politik. Sepse ky test nuk do të jetë ndarja e posteve. Ai do të vijë ditën kur Brukseli dhe Uashingtoni t’i kërkojnë Kosovës të marrë një vendim që njëri prej dy partnerëve do ta konsiderojë politikisht të rrezikshëm.

Në atë moment Kosovës nuk do t’i duhet një koalicion që i beson njëri-tjetrit, por një koalicion, mekanizmat institucionalë të të cilit e pengojnë secilin të fitojë politikisht duke u distancuar nga tjetri. Çështja e presidencës mund të jetë, pra, shumë më e rëndësishme sesa betejat për një post.

Ajo është përpjekja e parë për të ndërtuar garancitë që një koalicion i ardhshëm LVV-LDK do të ketë nevojë për të marrë së bashku vendimet e vështira që Kosova nuk mund t’i shtyjë pafundësisht.

Pyetja me një milion euro Në fund, mbetet një pyetje që nuk mund të anashkalohet: a dëshiron LVV-ja, si partia e parë, një marrëveshje koalicioni të qëndrueshme, të aftë t’i mbijetojë kërkesave të vështira që do të vijnë nga Brukseli dhe Uashingtoni?

Apo është e gatshme të shkojë në zgjedhje të përsëritura derisa të sigurojë një shumicë komode në Kuvend, edhe nëse mbetet përkohësisht në opozitë? Nëse nuk ndërtohen mekanizma të vërtetë ndërvarësie – si presidenca apo garanci të tjera institucionale – atëherë alternativa logjike që mbetet është mosmarrja e vendimeve përmes krizave të reja dhe zgjedhjeve të reja.

Prandaj, kriza aktuale nuk është veç çështje për ndarjen e posteve, por e vullnetit të përbashkët politik për të qeverisur kur sfidat janë të vështira dhe vendimet bartin kosto të lartë.

Burimi: Bota Sot