Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj akuzave të fundit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i cilësuar si të pavërteta pretendimet dhe disa mesazhe të publikuara në Snapchat. Rama ka deklaruar se mesazhet janë “të pavërteta, të fabrikuara dhe të gërditshme” , ndërsa ka kritikuar Vetëvendosjen për mënyrën se si, sipas tij, po zhvillon përballjen politike.
“Sinqerisht, ndjej keqardhje për Vetëvendosjen që ka mbet me bo politikë me Snapchat, me linçime në Facebook e me lajme të krijume me Inteligjencë Artificiale”, ka shkruar Rama. Ai ka mohuar gjithashtu pretendimet lidhur me lëndët e legalizimit, duke thënë se dokumentacioni gjendet në institucionet përkatëse.
Rama u ka bërë thirrje asamblistëve të VV-së që, së bashku me mediat, të shkojnë në Drejtorinë e Kadastrit dhe Drejtorinë e Urbanizmit dhe t’i shqyrtojnë të gjitha lëndët. “Shfletojini krejt lëndët. Faqe për faqe! Pastaj dilni para të njëjtit opinion publik dhe kallxoni drejt”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Prishtinës ka kërkuar që, nëse faktet i rrëzojnë pretendimet e tyre, asamblistët e VV-së të kërkojnë falje publikisht. Në fund të reagimit, Rama ka thënë se pavarësisht përplasjeve politike, fokusi i tij mbetet puna për qytetarët “Ne kemi punë për me kry për qytetarët e këtij shteti”, ka përfunduar Rama. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
