Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës organizon sot edicionin e nëntë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Kosovës. Konferenca do të mbahet duke filluar nga ora në Prishtinë, derisa tema e konferencës është “Kosova në një botë në ndryshim: Siguri, Partneritet dhe Zhvillim”.
Në hapjen e konferencës do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të vendit, ambasadorë të Republikës së Kosovës dhe personalitete të tjera.
Me fjalë rasti do t’u drejtohen të pranishmëve ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Paraprakisht, mbrëmë, u.d. e Presidentes Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se në Prishtinë janë mirëpritur ambasadorët dhe konsujt e Kosovës që shërbejnë në vende të ndryshme të botës.
Haxhiu ka thënë se i ka falënderuar diplomatët për punën që bëjnë gjatë gjithë vitit në emër të Kosovës, duke theksuar se kjo punë shpesh nuk shihet menjëherë dhe kërkon durim, këmbëngulje dhe biseda të shumta. “Kjo është një punë që shpesh nuk shihet menjëherë dhe që kërkon durim, këmbëngulje dhe biseda të shumta para se të kemi një rezultat” , ka thënë Haxhiu.
Ajo ka theksuar rëndësinë e ndërtimit të besimit dhe marrëdhënieve afatgjata në diplomaci, veçanërisht në një kohë kur interesat dhe aleancat ndryshojnë shpejt. “Duhet kohë që njerëzit të të njohin dhe të krijojnë besim, para se të vijë momenti kur ke nevojë për mbështetjen e tyre” , ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, diplomatët e Kosovës kanë për detyrë që ta pasurojnë njohjen ndërkombëtare për Kosovën, në mënyrë që ajo të mos lidhet vetëm me ngjarjet e së kaluarës. “Diplomatët tanë punojnë çdo ditë që njohja për Kosovën të mos mbetet aty, por të përfshijë edhe vendin që jemi sot”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka shprehur mirënjohje edhe për familjet e diplomatëve, duke përmendur fëmijët që ndërrojnë shkollë dhe bashkëshortët që përshtatin jetën e tyre me çdo vend të ri ku diplomatët shërbejnë. Në pritjen e mbrëmshme ishin të pranishëm edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
