Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se në Prishtinë kanë mirëpritur ambasadorët dhe konsujt e Kosovës që shërbejnë në vende të ndryshme të botës. Haxhiu tha se i ka falënderuar ata për punën që bëjnë gjatë gjithë vitit në emër të Kosovës.
“Një punë që shpesh nuk shihet menjëherë dhe që kërkon durim, këmbëngulje dhe biseda të shumta para se të kemi një rezultat”, tha Haxhiu. Ajo theksoi se, kur interesat dhe aleancat ndryshojnë shpejt, në diplomaci nuk mjafton reagimi i çastit. “Duhet kohë që njerëzit të të njohin dhe të krijojnë besim, para se të vijë momenti kur ke nevojë për mbështetjen e tyre”, tha ajo.
Haxhiu tha se për shumë njerëz që Kosovën e njohin nga larg, ajo ende lidhet me luftën, shpalljen e pavarësisë apo lajmin e fundit që kanë parë. “Diplomatët tanë punojnë çdo ditë që njohja për Kosovën të mos mbetet aty, por të përfshijë edhe vendin që jemi sot”, tha Haxhiu.
Ajo shprehu mirënjohje edhe për familjet e diplomatëve, fëmijët që ndërrojnë shkollë dhe bashkëshortët që përshtatin jetën e tyre në një vend të ri e të panjohur sa herë që ndryshon vendi ku shërbejnë. Në pritje ishin të pranishëm edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
