Mot i nxehtë dhe kryesisht me diell, temperaturat deri në 35°C

0%

Kosova gjatë ditëve të ardhshme do të përballet me mot kryesisht të qëndrueshëm, me diell dhe temperatura të larta. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, sot moti do të jetë kryesisht me diell dhe i nxehtë. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 12 deri në 17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 30 deri në 35 gradë.

Era do të fryjë kryesisht nga veriu dhe verilindja, me shpejtësi prej 1 deri në 4 metra për sekondë, ndërsa lokalisht mund të ketë intensitet më të lartë. Për periudhën 10–14 gusht, parashikohet mot kryesisht i qëndrueshëm, me diell dhe i nxehtë, ndërsa temperaturat maksimale mund të arrijnë deri në 36 gradë Celsius. Sipas IHMK-së, ditët më të nxehta pritet të jenë e marta dhe e mërkura.

Të enjten pritet të krijohen kushte më të favorshme për zhvillimin e vranësirave konvektive, me mundësi për reshje lokale shiu, bubullima dhe stuhi të izoluara. Temperaturat e larta, së bashku me rrezatimin e shtuar diellor, do të shkaktojnë ngarkesë termike, ndërsa niveli i rrezatimit UV pritet të jetë i lartë deri shumë i lartë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

IHMK rekomandon që qytetarët të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve –, të përdorin krem mbrojtës, kapelë dhe syze me mbrojtje UV, si dhe të konsumojnë sasi të mjaftueshme të ujit. Kujdes të shtuar këshillohet të kenë fëmijët, të moshuarit dhe personat e ndjeshëm ndaj temperaturave të larta.

Në sektorin e bujqësisë, kushtet meteorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme për zhvillimin e kulturave, por kërkesa për ujë do të mbetet e lartë për shkak të temperaturave dhe evapotranspirimit të shtuar.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se do ta përcjellë në vazhdimësi situatën meteorologjike dhe, në rast të ndryshimit të kushteve të motit apo zhvillimit të dukurive të tjera meteorologjike, do ta njoftojë me kohë opinionin publik.

Burimi: Bota Sot