Galatasaray ka bërë hapin e parë për të mësuar situatën e Gabriel Martinellit, duke kontaktuar Arsenalin për mundësinë e transferimit të sulmuesit brazilian.
Megjithatë, sipas “Football London”, londinezët nuk pritet të japin dritën jeshile për largimin e tij pa gjetur fillimisht një lojtar që mund ta zëvendësojë. 25-vjeçari vazhdon të jetë në planet e Mikel Artetës, i cili ende e sheh Martinellin si pjesë të rëndësishme të skuadrës.
Në të njëjtën kohë, Arsenali është duke punuar për të sjellë një tjetër futbollist të nivelit të lartë në krahun e majtë të repartit ofensiv. Klubi londinez ka afruar së fundmi Christos Tzolis, i cili gjatë përgatitjeve të kësaj vere është aktivizuar në mënyrë të vazhdueshme në krahun e majtë të sulmit.
Sa i përket Martinellit, braziliani raportohet se është i kënaqur me jetën në veri të Londrës dhe nuk ka shfaqur dëshirë për t’u larguar. Megjithatë, një shtim i konkurrencës në repartin ofensiv mund të ndikojë në hapësirën e tij në formacion dhe ta bëjë më të mundshëm një transferim para mbylljes së afatit kalimtar.
Pas triumfit 4-1 ndaj Gironas në ndeshjen miqësore, Mikel Arteta la të hapur mundësinë që Arsenali të bëjë ndryshime të tjera në skuadër gjatë javëve në vazhdim. “Presim që të ketë lëvizje në javët e ardhshme, padyshim ”, deklaroi trajneri i Arsenalit. Arteta bëri të qartë se “ Topçinjtë ” nuk kanë ndërmend të ndalen në merkato, pasi synojnë ta rrisin edhe më tej cilësinë e ekipit.
“Ne nuk do të rrimë duarkryq dhe jemi shumë ambiciozë me atë që po bëjmë ”, shtoi spanjolli. Kështu, situata e Martinellit mbetet e lidhur me një kusht të qartë të Arsenalit: braziliani mund të largohet vetëm në rast se klubi siguron paraprakisht një zëvendësues të denjë për të. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!