Kur protesta humb kuptimin

0%

Më vjen keq ta shoh këtë pamje. Jo vetëm për gjestin e deputetes Time Kadrijaj, por edhe për atë që ky gjest përfaqëson në një kohë kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për institucione funksionale, debat politik dhe përgjegjësi. Kritika ndaj kryeministrit është pjesë e demokracisë. Kundërshtimi është i ligjshëm. Edhe protesta është një e drejtë demokratike.

Por Kuvendi duhet të jetë vendi ku përballen argumentet dhe idetë, jo vendi ku kundërshtari sulmohet me vezë. Nëse ka një kauzë për shtetin dhe qytetarët, ajo duhet të thuhet me zë të lartë. Nëse qeveria gabon, duhet të kritikohet. Nëse kryeministri duhet të largohet, ekzistojnë mekanizmat demokratikë, vota, mocioni, zgjedhjet dhe vullneti i qytetarëve.

Ajo që më shqetëson është kur një veprim politik duket se reduktohet në një qëllim të vetëm, largimin e Albin Kurtit dhe vazhdimin e bllokadës institucionale. Kjo nuk i shërben qytetarit dhe as shtetit. Timja, si mjeke e UÇK-së dhe si deputete e Kuvendit, meriton respekt për rrugën e saj. Pikërisht për këtë më vjen keq ta shoh në një veprim të tillë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nga ajo do të prisja një kauzë më të madhe, një argument më të fortë dhe një qëndrim që i shërben Kosovës. Mund të jesh kundër Albin Kurtit. Mund ta kritikosh dhe ta kundërshtosh deri në fund. Por demokracia duhet të jetë më e fortë se antipatia politike. Kosova ka nevojë për më pak spektakël politik dhe më shumë përgjegjësi. Më pak bllokadë dhe më shumë institucione.

Më pak sulme dhe më shumë argumente. Sepse një qeveri mund të ndryshojë me votë. Por dëmtimi i kulturës demokratike dëmton të gjithë.

Burimi: Bota Sot