“Kur Zoti krijoi nënën, i dha njeriut copëzën më të bukur të parajsës mbi tokë; kur e mori pranë Vetes, na la mallin që nuk shuhet kurrë.” Ikën dy vjet, o nënë, që nuk je më fizikisht mes nesh, por je kudo në përditshmërinë tonë, në kujtimet tona, në çdo cep të shtëpisë dhe në çdo rrahje të zemrave tona. Ah, çfarë malli na ka kapluar… sa shumë na mungon!
Jeta duket bosh pa ty, sepse vetëm kur humbet nënën e kupton se nëna është vetë jeta. Nganjëherë më duket sikur edhe Zoti u tregua pak “egoist”, sepse të deshi aq shumë pranë Vetes, sa neve na la pa thesarin më të çmuar, pa nënën tonë. Është gusht, o nënë… muaji që e prisje me aq gëzim.
Muaji kur merrje një muaj pushim dhe na mblidhje të gjithëve për të shkuar në plazh, duke na falur kujtime që sot janë pasuria jonë më e madhe. Është gushti i zahireve, kur shtëpia mbushej me aromën e peteve të tua, të roshnicave dhe të terhanasë, që vetëm duart e tua dinin t’i përgatisnin me aq dashuri.
Sot gushti ka ardhur përsëri, por nuk ka më të njëjtën dritë, të njëjtën ngrohtësi dhe të njëjtin gëzim, sepse mungon ti. Çdo ditë e këtij muaji na flet për ty, na zgjon kujtime dhe na e bën mallin edhe më të rëndë. Sot u bënë dy vjet nga dita kur qielli fitoi engjëllin e tij, ndërsa zemrat tona humbën strehën më të ngrohtë.
Dy vjet pa zërin tënd, pa buzëqeshjen tënde, pa duart që na ledhatonin shpirtin dhe na jepnin forcë në çdo vështirësi. Koha na ka mësuar të jetojmë me mungesën tënde, por kurrë nuk ka mundur ta zbehë dhimbjen e mallit. Ka net kur të kërkojmë në lutje dhe ditë kur të gjejmë në çdo kujtim, sepse ti je ende fryma më e bukur e jetës sonë.
Nuk ekziston pasuri më e madhe se dashuria e një nëne dhe nuk ka dhimbje më të rëndë se mungesa e saj. Çdo gëzim do të donim ta ndaje me ty, çdo lot do të donim ta fshije ti, ashtu siç vetëm një nënë di ta bëjë. Lutemi që Zoti të të ketë mbështjellë me mëshirën e Tij të pafund, ta ketë ndriçuar varrin tënd me dritë dhe ta ketë bërë Parajsën shtëpinë tënde të përjetshme.
Ti nuk je më para syve tanë, por je përgjithmonë në zemrat tona, në lutjet tona dhe në çdo hap të jetës sonë. Deri në frymën tonë të fundit do të jetojmë me mallin për ty, sepse dashuria për një nënë nuk njeh kohë dhe nuk njeh fund. Pusho e qetë, nëna jonë e shtrenjtë. Do të na mungosh në çdo gusht, në çdo festë, në çdo gëzim e në çdo dhimbje, sepse ka mungesa që koha nuk i shëron kurrë.
Ti nuk je më në këtë botë, por je përgjithmonë në shpirtin tonë. E nëse ekziston një mall që nuk njeh fund, ai është malli për nënën. U prehsh në paqe, engjëlli ynë. Zoti na bashkoftë përsëri në Parajsë. Amin!
