Logoja e Mercedesit u dogji shpinën? Dy shoferë padisin kompaninë për

0%

Dy pronarë të veturave Mercedes-AMG në Kaliforni kanë paditur prodhuesin gjerman, duke pretenduar se logoja metalike AMG në ulëset e shoferit është nxehur nga dielli deri në atë pikë sa u ka shkaktuar djegie të shkallës së dytë.

Rasti është ngritur në një gjykatë në Kaliforni, ku Gabriel Lahijani dhe Karendeep “Karina” Bath pretendojnë se ulëset e përparme të disa modeleve AMG kanë një problem në dizajn.

Sipas tyre, logoja e ngritur metalike AMG ndodhet në një pozicion ku mund të prekë drejtpërdrejt shpinën, qafën ose shpatullën e shoferit dhe, kur nxehet nga rrezet e diellit, mund të bëhet jashtëzakonisht e nxehtë. Lahijani, banues në Los Angeles, kishte marrë me qira një Mercedes-AMG E-Class të vitit 2026.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Më 31 maj, ai pretendon se hyri në veturë i veshur me një fanellë pa mëngë dhe, pasi u ul në sediljen e shoferit, logoja e nxehur i shkaktoi djegie në shpinë. Sipas padisë, një dermatolog e ka përshkruar dëmtimin si “AMG inscribed” , duke konstatuar djegie të shkallës së parë dhe të dytë – me shenjën e logos së Mercedes-AMG të dukshme në lëkurë.

Rreth gjashtë javë më vonë, edhe Bath pretendoi se pësoi një dëmtim të ngjashëm, shkruan The Mirror, përcjell Sinjali. Ajo kishte parkuar Mercedes-AMG-në e saj në Los Angeles dhe, kur u kthye në automjet dhe u ul në sediljen e shoferit, shpatulla i preku menjëherë logon metalike. Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo ndjeu menjëherë një ndjesi djegieje .

Në ditët në vijim, në lëkurën e saj u shfaq një shenjë në formën e logos AMG, e cila u errësua dhe, sipas padisë, ishte në përputhje me një djegie të shkaktuar nga kontakti me një sipërfaqe të nxehtë. Dy paditësit kërkojnë kompensim për shpenzimet mjekësore, dhimbjet dhe vuajtjet, si dhe dëmin emocional që pretendojnë se kanë përjetuar.

Por kërkesat e tyre nuk ndalen vetëm te kompensimi personal. Ata duan që Mercedes të mbulojë edhe heqjen e logos nga ulëset e automjeteve të pronarëve të tjerë , nëse vërtetohet se ajo paraqet rrezik të ngjashëm. Padia e re vjen në një periudhë kur Mercedes është përballur edhe më parë me procese të mëdha gjyqësore në SHBA.

Në dhjetor, Mercedes-Benz USA dhe kompania mëmë Daimler AG ranë dakord për një marrëveshje prej 149.6 milionë dollarësh për të zgjidhur akuzat se softueri i instaluar në më shumë se 211 mijë automjete me naftë kishte optimizuar kontrollet e emetimeve gjatë testeve, ndërsa i reduktonte ato gjatë përdorimit normal.

Në atë rast ishin përfshirë prokurorë të përgjithshëm nga 50 shtete amerikane, ndërsa marrëveshja parashihte deri në 200 milionë dollarë lehtësime të mundshme për konsumatorët.

Tani, Mercedes përballet me një tjetër pretendim të pazakontë – këtë herë jo për motorin apo emetimet, por për një logo në sediljen e shoferit që, sipas dy paditësve, mund të kthehet në një “hekur të nxehtë” nën rrezet e diellit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com