Qiproja mund të nisë dërgimin e gazit natyror drejt tregjeve evropiane që në mars të vitit 2028, në një zhvillim që mund të ndihmojë Evropën të diversifikojë furnizimin me energji dhe të stabilizojë çmimet.
Kështu ka deklaruar ministri qipriot i Energjisë, Michalis Damianos , në një intervistë ekskluzive për Associated Press, duke theksuar se Mesdheu Lindor po shndërrohet me shpejtësi në një burim alternativ të energjisë për Evropën. Sipas tij, lufta në Ukrainë dhe pasiguria në Lindjen e Mesme e kanë bërë edhe më të rëndësishme gjetjen e burimeve të reja të gazit për kontinentin evropian.
Në qendër të këtij plani është fusha e gazit “Cronos” , e zbuluar në ujërat e Qipros. Kompanitë TotalEnergies nga Franca dhe Eni nga Italia kanë marrë vendimin përfundimtar për investimin në zhvillimin e saj.
Punimet për ndërtimin e një tubacioni që do ta lidhë “Cronos” me infrastrukturën ekzistuese të fushës së madhe “Zohr” në Egjipt pritet të nisin në fund të këtij viti dhe të zgjasin deri në 18 muaj.
Nga aty, gazi do të dërgohet në impiantin e përpunimit në Damietta, në bregdetin verior të Egjiptit, ku do të shndërrohet në gaz natyror të lëngshëm dhe më pas do të transportohet me anije drejt Evropës. Miliarda metra kub gaz për Evropën Fusha “Cronos” vlerësohet se përmban më shumë se 84 miliardë metra kub gaz natyror .
Marrëveshja parashikon që pjesa dërrmuese e gazit të dërgohet në Evropë, ndërsa rreth një e pesta e tij mund të përdoret për nevojat energjetike të Egjiptit. Sipas Damianos, rëndësia e projektit nuk qëndron vetëm te të ardhurat që do të sigurojë Qiproja.
“Rëndësia nuk qëndron te paratë, por te fakti se po fillojmë të bëhemi prodhues dhe të nxjerrim gazin tonë të parë në treg”, ka thënë ai, shkruan Euronews, përcjell Sinjali. “Cronos” është një nga gjashtë fushat e gazit të zbuluara deri tani në Zonën Ekonomike Ekskluzive të Qipros.
Dy fusha të tjera, “Glafcos” dhe “Pegasus” , kanë së bashku rezerva të vlerësuara në rreth 195 miliardë metra kub gaz . Kompanitë ExxonMobil dhe QatarEnergy, të cilat kanë licencat për zhvillimin e tyre, presin që prodhimi të nisë rreth vitit 2033. Ndërkohë, Qiproja ka edhe fushën “Aphrodite”, të zbuluar rreth 15 vjet më parë, me rezerva të vlerësuara në rreth 158 miliardë metra kub gaz .
Vendimi përfundimtar për investimin në zhvillimin e saj pritet në verën e vitit 2027. Plani është që edhe kjo fushë të lidhet me infrastrukturën energjetike të Egjiptit.
Edhe kabllo elektrike drejt Greqisë dhe Izraelit Ministri qipriot foli edhe për projektin “Great Seas Interconnector” , përmes të cilit Qiproja synon të lidhet me rrjetin elektrik evropian përmes Greqisë dhe, në një fazë të mëvonshme, me Izraelin.
Në projekt është përfshirë edhe kompania franceze e investimeve Meridiam , ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron ka shfaqur interes të vazhdueshëm për të. Damianos e konsideron projektin strategjik për Evropën, pasi Qiproja aktualisht mbetet e izoluar nga rrjeti elektrik kontinental.
Megjithatë, projekti është përballur me probleme për shkak të rritjes së kostos, e cila tashmë ka tejkaluar vlerësimin fillestar prej rreth 1.91 miliardë eurosh . Banka Evropiane e Investimeve pritet të publikojë një raport të ri për koston e projektit në muajt e ardhshëm.
Qiproja është veçanërisht e interesuar për këtë çështje, pasi sipas marrëveshjes aktuale, konsumatorët qipriotë mund të detyrohen të mbulojnë deri në 63 për qind të kostos së kabllos , gjë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin e energjisë elektrike.
Bashkimi Evropian tashmë ka zotuar 658 milionë euro për projektin, ndërsa autoritetet qipriote po kërkojnë edhe investime private dhe mundësi të tjera financimi nga BE-ja për të ulur barrën mbi konsumatorët. “Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për Evropën, sepse lidh Qipron, e cila është e izoluar, me rrjetin evropian.
Ideja është që më pas të lidhet edhe me Izraelin”, ka deklaruar Damianos. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
