Bilbil i bukur, bilbil, me ato flatra të verdha, gëzueshëm e hareshëm, me ty fillon pranvera. Me zërin tënd të ëmbël i kënaq vogëlushët dhe i shoqëron barinjtë në bjeshkë e stane, që i bien fyellit e hedhin valle. Bilbil, me shtatin sa grima, je më i shpejtë se vetëtima. Herë shfaqesh në blinaja, herë në livadhe e ograja. Zëri yt tërheqës është mjaltë për zemrën e kënaqësi për veshët.
Bilbil i bukur, bilbil, me flatra të verdha, lajmëruesi i parë që erdhi pranvera. Edhe fëmijët në mërgim të duan e të presin me gëzim. Këngën tënde, nga mëngjesi e deri në mbrëmje, e dëgjojnë me dashuri e ëndje. Madje, i luten Zotit që t’ua bëjë dhuratë zërin tënd të bukur e të ëmbël. ARIF EJUPI Gjenevë, Arif Ejupi
