Gazetari Lutfi Dervishi ka reaguar për mënyrën se si po zhvillohet urbanizimi dhe ndërhyrjet në territor, duke bërë një krahasim mes mënyrës se si ndërtonin qytetërimet e lashta dhe qasjes së sotme ndaj natyrës.
Në një postim në Facebook, Dervishi shkruan se, ndonëse kanë kaluar rreth dy mijë vjet nga koha e romakëve, shumë prej mësimeve të tyre për raportin mes njeriut, ndërtimeve dhe natyrës duket se ende nuk janë përvetësuar.
Ai përmend rrugën Egnatia, duke theksuar se romakët, aty ku ishte e mundur, ndiqnin rrjedhën e lumenjve dhe ia përshtatnin projektet terrenit, në vend që të përpiqeshin ta nënshtronin natyrën ndaj ndërtimeve. Dervishi ndalet edhe te Durrësi, duke kujtuar rëndësinë historike të qytetit si port dhe pikënisje e rrugës Egnatia.
Sipas tij, Durrësi u zhvillua pikërisht falë portit, ndërsa sot, siç shprehet ai, “ne po e çmontojmë atë”. Një tjetër kritikë e tij lidhet me mënyrën se si janë ngritur historikisht vendbanimet. Dervishi thekson se të moçmit ndërtonin kryesisht në kodra, shpate dhe terrene të mbrojtura, duke ua lënë zonave të ulëta tokat pjellore dhe hapësirat që mund të përmbyteshin.
Në këtë kontekst, ai përdor edhe një formulim ironik për zhvillimin e sotëm urban. “Sot ku gjejmë shesh, bëjmë përshesh”, shkruan Dervishi. Ai prek gjithashtu problemin e ndërtimeve pranë lumenjve, duke paralajmëruar se fushat aluvionale janë krijuar pikërisht nga lëvizjet e lumenjve ndër shekuj dhe se zaptimi i hapësirës së tyre mund të ketë pasoja.
Dervishi sjell si shembull edhe urat shekullore, ndërsa përmend Urën e Mesit mbi lumin Kir, me harqet e projektuara për t’i mundësuar ujit kalimin edhe gjatë rritjes së prurjeve. Sipas tij, edhe qytetet tradicionale merrnin parasysh hijen, qarkullimin e ajrit, orientimin ndaj diellit dhe përdorimin e materialeve natyrore, shumë kohë përpara shfaqjes së teknologjive moderne të klimatizimit.
Në fund, Dervishi ngre shqetësimin edhe për humbjen e tokës bujqësore nga ndërtimet. “Sot kemi teknologji shumë më të zhvilluar se romakët, bizantinët e osmanët, por po shkatërrojmë të vetmen vatër që kemi për të jetuar”, përfundon ai. Më poshtë postimi i plotë i Lutfi Dervishit:
