Analisti Shkëlzen Gashi ka reaguar ndaj skenave të fundit në Kuvendin e Kosovës, ku përplasjet politike u shoqëruan edhe me hedhjen e vezëve. Në një reagim në Facebook, Gashi ka kritikuar mënyrën se si është zhvilluar protesta, duke vlerësuar se një veprim i tillë, nëse nuk shoqërohet me një mesazh të qartë politik, humbet kuptimin e tij dhe shndërrohet në spektakël.
Sipas tij, pushtetarët mund të kundërshtohen edhe përmes veprimeve simbolike, por para gjestit duhet të ekzistojë një mesazh politik që shpjegon arsyen e protestës. “Pa mesazh, gjuajtja nuk është protestë, por spektakël”, shkruan Gashi.
Ai është veçanërisht kritik ndaj faktit që, sipas tij, në gjithë ngjarjen dominuan sharjet, vezët dhe skenat e tensionuara, ndërsa mungoi argumenti politik që do t’i jepte kuptim protestës. Gashi thotë se protesta duhet të ketë një rend të qartë: fillimisht mesazhin, madje një mesazh të fortë politik, pastaj gjestin dhe vetëm në fund format e tjera të reagimit.
Në përfundim, ai e përmbledh vlerësimin e tij me fjalët: “Këtu krejt e kundërta: shamje, vo, spektakël, e mesazh hiç. Dobët. Shumë dobët.” Reagimi i Gashit vjen pas skenave të tensionuara në Kuvend, të cilat kanë nxitur reagime dhe debat të gjerë lidhur me kufijtë e protestës politike dhe mënyrën se si duhet të zhvillohet përplasja mes pushtetit dhe opozitës.
Shënim redaksional: Për shkak të gjuhës së drejtpërdrejtë të përdorur në reagim, më poshtë mund të shihet postimi i plotë i Shkëlzen Gashit në Facebook.
