Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Edmond Spaho, ka reaguar ndaj kritikave pas deklarimit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në Beograd, se Ukraina do të vazhdojë të mos e njohë pavarësinë e Kosovës. Spaho ka thënë se ky nuk është një qëndrim i ri, pasi sipas tij, Ukraina e ka mbajtur të njëjtën linjë që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
“Ku është e reja dhe çudia këtu? Këtë qëndrim Ukraina e ka pasur që kur Kosova u shpall e pavarur në vitin 2008, sepse Rusia ka pretendime për territore të Ukrainës”, ka shkruar Spaho. Ai ka argumentuar se njohja e Kosovës nga Kievi do të mund të shihej nga pala ukrainase si krijim i një precedenti lidhur me territoret e saj.
“Ju prisni që Ukraina duke njohur Kosovën të krijojë precedent që territore të saj të humben përfundimisht? ”, ka pyetur ai. Spaho ka përmendur Krimenë dhe Donbasin, duke thënë se Ukraina po lufton për territoret që i janë shkëputur ose rrezikojnë t’i shkëputen.
Sipas tij, pavarësisht pretendimeve për dallime thelbësore ndërmjet rastit të Kosovës dhe territoreve ukrainase, njohja e Kosovës do të ishte në kundërshtim me interesat e Kievit.
Deputeti demokrat ka përmendur edhe raportet ndërmjet Serbisë dhe Ukrainës, duke pretenduar se Beogradi i ka shitur Kievit armë nëpërmjet palëve të treta në vlerë prej një miliard eurosh dhe se kjo është bërë me dijeninë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Në reagimin e tij, Spaho ka ngritur pyetje edhe për qëndrimin e Rusisë ndaj Kosovës, duke rikujtuar se Moska kundërshton pavarësinë e saj dhe është pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. “Meqenëse Zelensky nuk e njeh Kosovën, ne shqiptarët duhet të bëhemi me Rusinë?
A nuk është Rusia mosnjohësi i parë dhe bllokuesi i përhershëm i Kosovës në Këshillin e Sigurimit në OKB?” , ka shkruar ai. Spaho ka përmendur gjithashtu Palestinën dhe Iranin, duke pyetur nëse këto vende e njohin Kosovën.
Ai u është drejtuar kritikëve të Ukrainës duke theksuar mbështetjen që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i japin Kievit, ndërkohë që Shqipëria synon integrimin në BE. “Çfarë doni more ‘patriotë’, t’i shpallim luftë SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian ku ne duam të anëtarësohemi, të cilët janë mbështetësit më të mëdhenj të Ukrainës?
A nuk e dinë ata qëndrimin e Ukrainës për Kosovën?”, ka deklaruar Spaho. Në fund, deputeti demokrat u ka bërë thirrje atyre që i quan “patriotë” në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të reflektojnë para se të reagojnë, ndërsa debatin e ka lidhur edhe me reagimet për konsullatën serbe në Shkodër dhe atë shqiptare në Bujanoc.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, the dje se politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës. “Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar.
Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, tha Zelensky gjatë një konference për media në Beograd së bashku me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
