Sot, në vendin tonë pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe me temperatura të larta. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, pasdite, në zona të izoluara pritet zhvillim i vranësirave, të cilat lokalisht mund të sjellin reshje shiu dhe stuhi afatshkurtra, përcjell KosovaPress. Në zonat e prekura nga reshjet pritet ulje e përkohshme e temperaturës.
Temperaturat minimale do të jenë nga 13–18°C, ndërsa, ato maksimale nga 29–34°C. Era do të fryjë nga verilindja, e lehtë deri mesatare, me shpejtësi 1–6 metra në sekond, ndërsa gjatë stuhive mund të ketë hovë të përkohshme më të fuqishme. Kushtet biometeorologjike Temperaturat e larta dhe indeksi i lartë i rrezatimit UV vazhdojnë të krijojnë kushte të pafavorshme biometeorologjike.
“Personat me sëmundje kronike, të moshuarit dhe fëmijët këshillohen të kufizojnë aktivitetet në ambiente të hapura gjatë orëve më të nxehta të ditës”, njofton Instituti. Kushtet agrometeorologjike Mungesa e reshjeve të shpërndara në mënyrë uniforme do të vazhdojë të favorizojë deficitin e lagështisë në shtresën sipërfaqësore të tokës.
Reshjet lokale nuk pritet të kenë ndikim të konsiderueshëm në përmirësimin e bilancit ujor për kulturat bujqësore. Fermerët këshillohen të vazhdojnë ujitjen sipas nevojave të kulturave dhe të planifikojnë punimet agroteknike jashtë intervalit të temperaturave maksimale.
