Shtetet e Bashkuara kanë bërë “njëfarë përparimi” në bisedimet me Iranin, deklaroi në një intervistë për Fox News zëvendëspresidenti amerikan JD Vance. Vance tha se pala iraniane dëshiron që situata të përfundojë, por sipas tij, ende mbetet e paqartë nëse autoritetet iraniane janë të gatshme të ndërmarrin ndryshimet që kërkon Uashingtoni. “Ata duan që kjo gjë të marrë fund.
Pyetja është nëse janë në gjendje të japin gjërat që janë të nevojshme që ne të ndihemi sikur kemi marrë atë që na nevojitet nga ky angazhim”, tha Vance, duke shtuar se gjatë ditëve të fundit është bërë njëfarë progresi. Sipas zëvendëspresidentit amerikan, një nga çështjet kryesore në bisedimet aktuale është garantimi i rrjedhës së naftës dhe gazit përmes Ngushticës së Hormuzit.
“Po flasim me iranianët. Sigurisht, po përpiqemi të maksimizojmë sasinë e naftës dhe gazit që po del nga Ngushtica e Hormuzit. Kjo është gjëja në të cilën jemi më të përqendruar tani”, u shpreh ai. Vance theksoi gjithashtu se SHBA-ja po vlerëson nëse Irani është i gatshëm të bëjë ndryshime afatgjata që do të mundësonin një marrëdhënie më të mirë mes dy vendeve.
Ai tha se gjatë javës së fundit Irani dhe vendet e Gjirit, veçanërisht Omani, kanë zhvilluar diskutime për garantimin e lundrimit të sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit. Vance nënvizoi nevojën për krijimin e një skeme të sigurt të trafikut detar për anijet që kalojnë nëpër ngushticë, duke përmendur edhe dyshimet për vendosjen e minave detare në këtë zonë.
