Autorë të shumtë dhe shtëpitë botuese kanë paraqitur librat e tyre në edicionin e 8-të të panairit të librit në Ferizaj, i cili përfundon sonte. Disa nga ta thonë se janë të kënaqur me vijueshmërinë e qytetarëve në këtë panair. “Unë them se jam shumë i kënaqur edhe me lëvizjet edhe me vizitorët e shumë të cilët kanë ardhur.
Personalisht kam pas qarkullim jashtëzakonisht të mirë, kam pas takime të shumta me vizitorë e me lexues”, tha Safet Syla – shkrimtar. Ndërkaq, Nazmie Jahelezi pjesëmarrëse në panair tha se interesimi ka qenë goxha i mirë. “Ka pas të interesuar nga të gjitha llojet e fushave të psikologjisë, historisë, filozofisë, pra nga të gjitha llojet e librave ka pas të interesuar”, tha ajo.
Por ka edhe të atillë që shprehin shqetësimin për zvogëlimin e numrit të lexuesve. “Nëse e bëjmë një krahasim shumë të thjeshtë me kafiteritë dhe restorantet dhe prezencën e qytetarëve për libër është një dispropozicion i madh.
Unë vitin e kaluar kam qenë pjesëmarrës në panair, kam pas përshtypje shumë më të mirë se sa sivjet ngase prindërit i merrnin fëmijët dhe i sjellnin këtu me pa librin. Kjo jo vetëm në Ferizaj, por kudo duhet të ndodh. Nuk ka perspektivë nëse nuk ka komunikim me librin”, tha Mensur Bytyqi botues. Edhe botuesi tjetër, Ermal Bega tha se rinia nuk është shumë e dhënë pas librit .
“Po shoh një rini të gjallë por është përtej librave, në lokale dhe kafiteri ngjitur me panairin. Mungesa e rinisë që kryesisht duhet edukohen është për të ardhur keq sepse nuk po vijnë”, tha ai. Pjesëmarrësit thanë se panairet luajnë rolin e tyre tek qytetarët dhe duhet që të këtë më shumë ngjarje të tilla por që duhet edhe të profilizohen.
“Mua më duket se është pak njëherë në vit të organizohet një panair. Kemi mundësi të organizojmë panaire të ndryshme. Panaire për fëmijë, panaire për të moshuar, panaire për student, panaire me libra të vjetër që po kërkohet gjithandej”, tha Sefet Syla – shkrimtar. Edicioni i 8-të i Panarit të Librit në Ferizaj u organizua nga Drejtoria për Kulturë dhe Klubi Letrar “De Rada”
