Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar pas incidentit në Kuvendin e Kosovës, ku deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Kusari-Lila e ka kritikuar veprimin e deputetes, duke thënë se sjellje të tilla nuk i kontribuojnë zgjidhjes së situatës politike në vend.
“Nuk kam çfarë të shtoj për veprimin e deputetes, përveçse të uroj që të jetë qetësuar pas atij momenti dhe që, bashkë me grupin e saj parlamentar, të arrijnë të kuptojnë se me praninë dhe votimin e tyre për konstituimin e institucioneve mund të kontribuojnë shumë më dobishëm për vendin sesa me veprime të tilla”, ka shkruar Kusari-Lila.
Ajo ka theksuar se veprimi politik dhe kauza duhet të kenë bashkërendim logjik, duke shtuar se kur këto përplasen me njëra-tjetrën, veprimi politik bëhet kaotik dhe i udhëhequr nga emocionet e mllefi. Reagimi i saj vjen pas tensioneve të krijuara në seancën konstituive të Kuvendit, e cila u ndërpre pasi Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të Kurtit.
Pas incidentit pati edhe përplasje mes deputetëve të VV-së dhe AAK-së. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
