Ambicia e Formula1 për vitin 2031,

0%

Kur rregulloret e reja të Formula 1 për vitin 2026 u prezantuan, FIA foli shpesh për të ashtuquajturin “koncepti i makinës së shkathët” (nimble car concept). Makinat e reja duhej të bëheshin më të vogla dhe më të lehta, edhe pse duhet pranuar se ndryshimet janë ende relativisht të kufizuara.

Bazamenti i makinës është shkurtuar me 20 centimetra këtë vit, ndërsa makinat janë gjithashtu 10 centimetra më të ngushta. Pesha minimale është vendosur në 768 kilogramë, një reduktim prej 32 kilogramësh krahasuar me sezonin e kaluar.

Së bashku me uljen e ndjeshme të forcës aerodinamike (downforce), që do të thotë se pilotët duhet të luftojnë sërish më shumë me timonin dhe makinat duken më pak sikur lëvizin “mbi shina”, objektivat kryesore janë arritur.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Megjithatë, gjatë tetë muajve të parë të sezonit pothuajse nuk është folur për këtë aspekt, pasi gjithçka është lënë në hije nga ankesat për njësitë e fuqisë dhe menaxhimin e energjisë. Por sa i përket shasisë, drejtori i FIA-s për makinat njëvendëshe, Nikolas Tombazis, beson se rregullorja e re përfaqëson një hap përpara.

“Mendoj se ndoshta po, edhe pse nuk duhet të mendojmë kurrë se puna ka përfunduar. Por besoj se makinat ndjekin njëra-tjetrën më afër”, tha Tombazis për disa media të përzgjedhura, përfshirë Autosport. Sipas FIA-s, efekti i ajrit të turbullt (dirty air) është reduktuar në nivelin që ekzistonte gjatë vitit të parë të rregullores së mëparshme.

Tombazis është i bindur se këtë herë skuadrat do ta kenë më të vështirë të gjejnë zgjidhje të zgjuara që mund të dëmtojnë frymën e rregullores. “Besoj se jemi në një situatë të ngjashme me fi llimin e kampionatit 2022, por mendoj se këtë vit është pak më e qëndrueshme”, vijoi ai.

SHASIA – Tombazis thekson se, nga ana e shasisë, makinat e vitit 2026 vazhdojnë të paraqesin një sfidë për pilotët. “Zgjidhjet e ndryshme aerodinamike që kanë përdorur skuadrat nuk kanë sjellë diçka që të ketë prishur konceptin, ndërsa në rregulloren e mëparshme kishte disa elemente që e komprometonin ndjeshëm atë.

Kjo lidhej kryesisht me skajet e krahut të përparmë në gjeneratën e fundit të makinave, anët e dyshemesë dhe të gjitha elementet rreth rrotave të përparme. Të gjitha këto ndikonin negativisht në karakteristikat e rrjedhës së ajrit pas makinës.

Ne mësuam nga kjo dhe shpresojmë që të mos ketë një problem të ngjashëm këtë herë.” Përveç faktit që makinat mund të ndjekin më lehtë njëra-tjetrën dhe ndikimit më të vogël të ajrit të turbullt, Tombazis sheh si pozitive edhe faktin që pilotët ende duhet të punojnë shumë për t’i drejtuar këto makina.

“Ato janë ende makina mjaft të vështira për t’u pilotuar, dhe kjo mendoj se është diçka e mirë, sepse nuk janë thjesht makina që mund t’i drejtojë kushdo”, tha ai. – “Disa nga rregullat aerodinamike bëjnë që skuadrat të mos mund të zgjidhin çdo aspekt të makinës në çdo kthesë, dhe për këtë arsye pilotët ende përballen me sfida.

Kur kemi 22 pilotët më të mirë në botë, duhet të kemi edhe makina që nuk janë tamam të lehta për t’i drejtuar gjyshja ime.” Për më tepër, makinat janë pak më pak kërkuese fizikisht për pilotët krahasuar me më parë, veçanërisht sepse makinat me efekt tokësor (ground effect) duhej të përdornin lartësi shumë të ulët nga toka dhe pezullime jashtëzakonisht të forta.

“Ne gjithashtu kemi rritur pak lartësinë nga toka, që do të thotë se makinat nuk janë aq brutale sa vitin e kaluar”, shtoi Tombazis. MAKINA 80 KG MË TË LEHTA – Paketa e re nga ana e shasisë e ka lënë Tombazisin të kënaqur, por ai thekson se FIA dëshiron të shkojë edhe më tej.

Kjo nuk do të jetë e mundur gjatë ciklit aktual të rregulloreve, por është objektivi për paketën e ardhshme të rregullave, e cila pritet të hyjë në fuqi në vitin 2031, ose në vitin 2030 nëse do të ketë mbështetje të mjaftueshme. “Makinat janë pak më të lehta dhe pak më të vogla, diçka që pilotët e kanë vlerësuar”, tha Tombazis. “Por a është kjo ajo ku dua të jemi? Jo.

Do të doja që në të ardhmen të ishim edhe 80 kilogramë më të lehtë, ndoshta edhe pak më të shkurtër dhe më të vegjël. Ky është objektivi, të bëjmë një tjetër hap të madh nga ajo që ishte e mundur të bëhej tani. Mendoj se ky është një hap i mirë, por nuk po them: ‘Po, puna përfundoi, ky është objektivi’.

Duam të arrijmë një tjetër nivel lehtësie në të ardhmen dhe një reduktim të rëndësishëm të peshës.” Për momentin, megjithatë, Tombazis po shijon faktin që një trend i gjatë i Formula 1, ai i makinave që bëheshin gjithnjë e më të mëdha dhe më të rënda, më në fund është kthyer në drejtimin e kundërt.

“Kjo është hera e parë që mendoj se makinat e Formula 1 janë bërë më të lehta që nga viti 2000, të paktën, ose ndoshta edhe më herët”, përfundoi ai.

Burimi: Bota Sot