Inteligjenca amerikane paralajmëron se Putini mund ta testojë NATO-n

0%

Vlerësimet e inteligjencës amerikane tregojnë se presidenti rus Vladimir Putin mund të jetë gjithnjë e më i gatshëm të autorizojë veprime provokuese që mund të shtrihen edhe në territorin e vendeve të NATO-s. Lajmi është bërë i ditur nga zyrtarë amerikanë për CBS News.

Sipas tyre, këto veprime mund të përfshijnë operacione hibride, sulme kibernetike dhe forma të tjera ndërhyrjeje që mund të mohohen nga Rusia, pa kaluar në një luftë të drejtpërdrejtë. Vlerësimet amerikane tregojnë se qëndrimi i Putinit ndaj rrezikut ka ndryshuar krahasuar me disa muaj më parë.

Qëllimi i mundshëm nuk do të ishte domosdoshmërisht nisja e një konflikti të gjerë, por testimi i unitetit të NATO-s dhe i gatishmërisë së administratës Trump për të reaguar në rast të një sulmi ndaj një vendi anëtar. Zyrtarët amerikanë thonë se droni i mbushur me eksploziv, i gjetur në fillim të kësaj jave në një aeroport në Leipzig të Gjermanisë, dyshohet se ka origjinë ruse.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Shqetësimet janë shtuar edhe për shkak të një sërë incidentesh të tjera në Europë. Mes tyre janë përmendur hyrjet e dronëve rusë në hapësirën ajrore të Rumanisë, një raketë ruse që kaloi në territorin e Polonisë muajin e kaluar, si dhe rritja e rasteve të dyshuara të sabotazhit, sulmeve kibernetike dhe operacioneve të tjera hibride.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe liderë të tjerë evropianë kanë paralajmëruar prej kohësh se Rusia po zgjeron përdorimin e taktikave hibride. Ndërkohë, Rusia po përballet me humbje të mëdha në luftën në Ukrainë.

Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, deklaroi muajin e kaluar se vlerësimet amerikane për humbjet ruse janë në përputhje me të dhënat e publikuara nga fusha e betejës. Sipas zyrtarëve amerikanë, Rusia po humbet rreth 30 mijë trupa në muaj, ndërsa numri i rekrutimeve nuk po arrin të kompensojë humbjet.

Përpjekjet diplomatike të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë kanë ngecur, ndërsa aktualisht nuk ka një rrugë të qartë për rifillimin e negociatave. Në bazë të nenit 5 të Traktatit të NATO-s, një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet si sulm ndaj të gjithë aleancës dhe vendet anëtare angazhohen të ndihmojnë vendin e sulmuar.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur në të kaluarën dyshime për mënyrën se si do të zbatohej neni 5, edhe pse në raste të tjera ka deklaruar se SHBA-të do të mbrojnë vendet anëtare të NATO-s. Administrata Trump ka kërkuar gjithashtu që vendet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre.

Në këtë kuadër, është diskutuar edhe mundësia e reduktimit të trupave amerikane në Gjermani, ndërsa planet për anulimin e një dislokimi ushtarak në Poloni u tërhoqën më herët këtë vit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com