Thibaut Courtois është rikthyer në stërvitje me Real Madridin, duke nisur një fazë të re të përgatitjeve pas përfundimit të angazhimit të tij në Kupën e Botës dhe pushimeve verore. Portieri belg është ndër lojtarët e fundit që është rikthyer në klub përpara fillimit të sezonit të ri. Sipas gazetës spanjolle “Marca”, Courtois tashmë është në dispozicion të trajnerit Jose Mourinho.
Ai e përfundoi aventurën në Kupën e Botës, e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara, pasi pësoi një shqetësim të lehtë muskulor gjatë ndeshjes ndaj Spanjës. Megjithatë, tani ai është i gatshëm t’i rikthehet punës me skuadrën.
Real Madridi ka udhëtuar drejt Hungarisë për ndeshjen e dytë miqësore të fazës përgatitore, ndërsa Courtois ka qëndruar në qendrën stërvitore të klubit në Valdebebas, ku ka vazhduar programin individual të përgatitjeve. Ashtu si Diomande në ditën e parë si lojtar i Real Madridit, edhe portieri belg ka zhvilluar një seancë individuale nën temperaturat e larta në kryeqytetin spanjoll.
Courtois tani pret rikthimin e pjesës tjetër të skuadrës për t’iu bashkuar stërvitjeve në grup, përpara ndeshjes së ardhshme miqësore ndaj Deportivo La Corunas. Gjatë javës së ardhshme, edhe disa lojtarë të tjerë pritet t’i bashkohen Real Madridit pas rikthimit nga Kupa e Botës.
Marc Cucurella, Ibrahima Konate, Aurelien Tchouameni dhe Kylian Mbappe janë ndër të fundit që pritet të rikthehen, duke kompletuar skuadrën e Mourinhos para fillimit të kampionatit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
