Belgjika do të dislokojë rreth 30 ushtarë në Groenlandë në fillim të shtatorit, si pjesë e misionit të ri të NATO-s “Arctic Sentry”, ka konfirmuar ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken. Dislokimi do të përfshijë trupa nga Brigada e Parë, e vendosur në Leopoldsburg, si dhe pjesëtarë të Forcave Speciale belge.
Misioni synon të forcojë praninë e NATO-s në rajonin e Arktikut, përfshirë zonat përreth Groenlandës, Islandës dhe Oqeanit Arktik, në një kohë kur aleanca vlerëson se interesimi strategjik i Rusisë dhe Kinës për këtë rajon është në rritje.
Forcat belge do të angazhohen në aktivitete parandaluese dhe stërvitje ushtarake, përfshirë përdorimin e dronëve dhe testimin e sistemeve kundër dronëve. Sipas autoriteteve belge, territori i gjerë i Groenlandës ofron kushte të përshtatshme për zhvillimin e këtyre ushtrimeve.
Belgjika do ta udhëheqë këtë operacion së bashku me Kanadanë, Danimarkën, Francën, Finlandën, Holandën, Slloveninë dhe Suedinë. Sipas transmetuesit belg VTM, aleanca synon të dërgojë një “mesazh të qartë” se NATO është “e aftë të sigurojë mbrojtjen e Arktikut dhe të ishullit strategjik”.
Ky vendim vjen në një periudhë tensionesh lidhur me Groenlandën, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur dëshirën e tij për blerjen e ishullit, duke e cilësuar kontrollin amerikan mbi të si një çështje historike dhe strategjike.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen i ka kundërshtuar deklaratat e Trump, duke theksuar se Groenlanda “nuk është për shitje” dhe se vetëm populli i Groenlandës mund të vendosë për të ardhmen e ishullit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
