Çka fshihet prapa refuzimit të PDK-së dhe AAK-së? Gashi analizon

0%

Sonte është afati i fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa edhe pas përpjekjes së tretë, kreu i LVV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk arritën të kenë një marrëveshje politike.

Pas takimit, kreu i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se nevojitet të ketë balancë demokratike dhe të respektohet vullneti i popullit, i shprehur në zgjedhjet e 7 qershorit. “Ka shpërputhje të madhe midis rezultatit përkatës dhe ambicieve konkrete. Ky është problemi i mos-arritjes së marrëveshjes politike, deri më tani.

Natyrisht që nuk duhet të humbasim shpresat dhe të jemi optimistë në arritjen e marrëveshjes” u shpreh ai. Kurti tha se kur Osmani u bë presidente, ishte sepse në garë kishin hyrë asisoj: 1-shi të bëhej kryeministër e 2-shi president. Kësaj radhe, sipas tij, nevojitet që presidenti të jetë konsensual. “Prandaj unë po them që të mos zgjedhet një president partiak.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Lë të shkojmë me një emër konsensual, me vlera dhe parime. Unë di një sërë emrash që mund ta bëjnë këtë detyrë, por s’po përmend emra konkretë se më pas thonë që Albin Kurti e dha emrin”. Kurti tha që ai po bën çmos të gjendet një zgjidhje për këtë situatë të krijuar.

Kurse, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit deklaroi se LDK dëshiron që ta ketë të drejtën për propozimin e Presidentit në një koalicion me LVV’në. Ai ka thënë se oferta e dhjetorit për zv.kryeministrin dhe disa ministri s’mjafton dhe s’është e dinjitetshme. “Oferta e dhjetorit që LDK të marrë vetëm, zv.km dhe ministri , s’është e mjaftueshme dhe s’është e dinjitetshme.

S’mund ta trajtojmë e pranojmë. Nëse e doni LDK’në, atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar. Kryeministri s’na takon, Kryetari i takon LVV’së me Kushtetutë, përfaqësimi i vetëm është një propozim, jo propozim bllanko, dhe presidenti bëhet i gjithë Kosovës”, ka deklaruar ai.

Gjersa, pritet të shihet nëse do të mbahet seanca sonte për konstituimin e Kuvendit, kujtojmë se kryeministri Albin Kurti, ka mbajtur takime vetëm me Lidhjen Demokratike të Kosovës, kjo pasi nga Partia Demokratike të Kosovës deklaronin se do të qëndrojnë në opozitë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës parashtroi kushte dhe refuzoi çfarëdo takimi me Kurtin.

Analisti politik, Lirim Gashi, ka folur për “Bota sot”, rreth qëndrimeve të PDK-së dhe AAK-së, duke thënë se ata kanë të drejtë të kenë dallime programore me LVV-në, por demokracia nuk është vetëm konkurrencë elektorale.

Sipas tij, refuzimi i dialogut nuk është zgjidhje e mirë politike “Mendoj se këtu duhet të bëjmë një dallim shumë të rëndësishëm ndërmjet të drejtës së opozitës për të mos hyrë në koalicion me LVV-në dhe detyrimit politik për të komunikuar kur në pyetje është funksionimi i shtetit.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë të drejtë të kenë dallime programore me LVV-në, të mos dëshirojnë bashkëqeverisje dhe madje të vendosin se në cilat kushte do ta mbështesin ose jo një zgjidhje të caktuar. Kjo është pjesë normale e demokracisë. Por demokracia nuk është vetëm konkurrencë elektorale; është edhe aftësi për të gjetur kompromis kur interesi institucional e kërkon.

Në këtë rast, problemi është se Kosova nuk po përballet me një çështje të zakonshme partiake. Po përballet me një bllokadë institucionale dhe me nevojën për të krijuar institucione funksionale dhe për të zgjedhur presidentin. Pikërisht për këtë arsye, refuzimi i dialogut nuk më duket zgjidhje e mirë politike, pavarësisht se kush e bën atë.

Unë do ta konsideroja më të përgjegjshme që të gjitha partitë të uleshin në një tryezë, pa paragjykuar rezultatin e bisedimeve” , shprehet Gashi për “Bota sot”. Lirim Gashi Sipas tij, të ulesh në tavolinë nuk do të thotë të pranosh programin e kundërshtarit.

Ai thekson se opozita nuk duhet të hyjë në opozitë nëse nuk dëshiron, por duhet të jetë e gatshme të ulet në tavolinë kur bëhet fjalë për zhbllokimin e institucioneve. “ Të ulesh në tavolinë nuk do të thotë të pranosh programin e kundërshtarit. Do të thotë të pranosh se shteti është më i madh se partia. Madje, një takim i tillë do të ishte në interes edhe të opozitës.

Ajo mund të shkojë në takim dhe të thotë shumë qartë: nuk pranojmë këtë, këtë dhe këtë; por jemi të gatshëm të diskutojmë për këtë, këtë dhe këtë. Kjo është politikë. Nëse njëra palë thotë “nuk pajtohem me ju, prandaj nuk flas me ju”, atëherë kemi konflikt politik.

Nëse thotë “nuk pajtohem me ju, por po flas me ju për të gjetur një zgjidhje për shtetin”, atëherë kemi demokraci institucionale. Natyrisht, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi PDK-në dhe AAK-në. Edhe LVV-ja duhet të jetë e gatshme për kompromis real, jo thjesht për konsultime që shërbejnë për ta dëshmuar publikisht se kush e ka fajin.

Një marrëveshje serioze kërkon që secila palë të heqë dorë nga diçka. Prandaj, qëndrimi im është i thjeshtë: opozita nuk duhet të hyjë në qeveri nëse nuk dëshiron, por duhet të jetë e gatshme të ulet në tavolinë kur bëhet fjalë për zhbllokimin e institucioneve.

Dhe e njëjta kërkesë duhet t’i bëhet edhe LVV-së: të mos kërkojë vetëm mbështetje nga opozita, por të jetë e gatshme të ofrojë kompromisin që e bën atë mbështetje të mundshme”, thekson analisti.

I pyetur nëse vendi shkon në zgjedhje të reja për shkak të mosformimit të institucioneve dhe mungesës së konsensusit për presidentin, a prisni që rezultati elektoral të ndryshojë ndjeshëm apo mendoni se raportet aktuale të forcave politike do të mbeteshin pothuajse të njëjta, Gashi shprehet se ato mund të prodhojnë ndryshime.

Por, sipas tij, kjo nuk do të thotë se rezultati do të ishte identik. “ Unë nuk do të bëja një parashikim kategorik, sepse zgjedhjet nuk janë një sondazh i përsëritur mekanikisht. Ato mund të prodhojnë ndryshime, sidomos kur qytetarët votojnë pas një periudhe të gjatë krize institucionale.

Por, duke parë rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit, nuk shoh aktualisht ndonjë arsye të fortë për të besuar se një palë do ta përmbyste në mënyrë spektakolare raportin ekzistues të forcave politike vetëm për shkak të një palë zgjedhjeve të reja. LVV doli bindshëm e para, me 53 mandate, ndërsa PDK mori 22, LDK 18 dhe AAK 7.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se rezultati do të ishte identik. Zgjedhjet e reja do të zhvilloheshin në një atmosferë krejt tjetër. Qytetarët tashmë e kanë parë se çfarë ndodh kur partitë nuk arrijnë të ndërtojnë kompromis. Prandaj pyetja kryesore për secilën parti nuk do të ishte vetëm: “Sa vota do të marrësh?” por: “Çfarë do të bësh me ato vota?” Kjo është shumë e rëndësishme.

Nëse qytetari voton dhe pas zgjedhjeve merr përsëri të njëjtin ngërç, ai mund të fillojë t’i ndëshkojë jo vetëm partitë që humbën zgjedhjet, por edhe mënyrën se si ato e përdorën mandatin e marrë nga qytetarët. Prandaj unë do të prisja më shumë një lëvizje të brendshme të votave sesa një përmbysje të domosdoshme të sistemit politik” , deklaron Gashi.

Zgjedhjet e reja janë bast për të gjithë, thekson Gashi, ai shton se do të preferonte që që partitë ta shfrytëzonin çdo mundësi të fundit për marrëveshje para se ta çonin vendin përsëri në zgjedhje.

“Disa parti mund të fitojnë disa pikë, të tjera mund të humbin disa, mund të ketë mobilizim ose demobilizim të elektoratit, por është shumë më vështirë të parashikohet një ndryshim radikal pa ndonjë zhvillim të madh politik. Dhe këtu ekziston edhe një paradoks.

Nëse partitë opozitare besojnë se zgjedhjet e reja do t’ua ndryshojnë ndjeshëm pozicionin politik, ato duhet ta kenë parasysh se zgjedhjet e reja mund ta forcojnë edhe më shumë LVV-në. Nëse, përkundrazi, LVV beson se mund ta fitojë lehtësisht një shumicë absolute, nuk ka asnjë garanci për këtë. Pra, zgjedhjet e reja janë një bast për të gjithë.

Por, sipas meje, basti më i madh nuk është se kush do të fitojë më shumë mandate. Basti është nëse Kosova do të dalë nga zgjedhjet me institucione funksionale apo do të hyjë përsëri në një cikël të ri bllokadash. Prandaj do të preferoja që partitë ta shfrytëzonin çdo mundësi të fundit për marrëveshje para se ta çonin vendin përsëri në zgjedhje.

Zgjedhjet janë instrumenti demokratik për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike, por nuk duhet të shndërrohen në instrument për t’iu shmangur kompromisit politik. Në fund të fundit, qytetari nuk voton vetëm për të zgjedhur fituesin. Voton që dikush të marrë përgjegjësinë për ta qeverisur vendin”, përfundon Gashi.

Burimi: Bota Sot