Konfirmohet rasti i parë me Virusin e Nilit Perëndimor në Kosovë

0%

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka konfirmuar rastin e parë pozitiv me Virusin e Nilit Perëndimor (West Nile Virus – WNV) gjatë këtij viti. Sipas njoftimit të IKShPK-së, rasti është konfirmuar sot përmes Laboratorit të Mikrobiologjisë.

Bëhet fjalë për një person të gjinisë mashkullore, të lindur në vitin 2005, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili po trajtohet në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Instituti ka bërë të ditur se pacienti ndodhet në gjendje stabile dhe po merr trajtimin e nevojshëm.

Nga hulumtimi epidemiologjik rezulton se pacienti nuk ka pasur histori udhëtimi jashtë Kosovës në vendet ku aktualisht është raportuar qarkullim i virusit. Virusi i Nilit Perëndimor është një sëmundje sezonale që shfaqet gjatë muajve të verës dhe transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas IKShPK-së, deri më , shtatë vende të Rajonit Evropian kanë raportuar raste të infeksionit me këtë virus: Italia me 139 raste, Greqia me 61 raste, Spanja me 17 raste, Maqedonia e Veriut me 13 raste, Rumania me 6 raste, Franca me 4 raste dhe Gjermania me 1 rast.

Në Kosovë, gjatë pesë viteve të fundit (2021–2025), janë regjistruar gjithsej 9 raste të Virusit të Nilit Perëndimor: 7 raste gjatë vitit 2024 dhe nga një rast në vitet 2023 dhe 2025. Rasti i konfirmuar sot është i pari i regjistruar gjatë vitit 2026.

IKShPK ka sqaruar se virusi nuk transmetohet nga personi te personi përmes kontakteve të zakonshme, por kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. Rreth 80% e personave të infektuar nuk zhvillojnë simptoma, ndërsa te rreth 20% mund të shfaqen ethe, temperaturë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, lodhje ose skuqje të lëkurës.

Sipas institutit, vetëm një numër shumë i vogël i rasteve (më pak se 1%) zhvillon forma të rënda që prekin sistemin nervor, kryesisht te personat e moshuar ose ata me sëmundje shoqëruese.

IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndërmarrin masa parandaluese, përfshirë përdorimin e repelentëve kundër mushkonjave, veshjen e rrobave me mëngë dhe pantallona të gjata, vendosjen e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe dyer, si dhe eliminimin e ujit të ndenjur në oborre, vazo, enë apo vende të tjera ku mund të shumohen mushkonjat.

Instituti ka rekomanduar gjithashtu shmangien e qëndrimit jashtë gjatë agimit dhe muzgut, kur mushkonjat janë më aktive, si dhe mbajtjen e pastër të pishinave, shatërvanëve dhe sipërfaqeve ku mund të grumbullohet ujë.

Personat që udhëtojnë në vende ku virusi është i pranishëm këshillohen të përdorin masa mbrojtëse kundër pickimit të mushkonjave dhe, nëse shfaqin simptoma gjatë ose pas udhëtimit, të kërkojnë ndihmë mjekësore. IKShPK ka bërë të ditur se po e monitoron në vazhdimësi situatën dhe ka theksuar se nuk ka vend për panik.

Sipas institutit, zbatimi i masave të thjeshta mbrojtëse mbetet mënyra më efektive për të reduktuar rrezikun e infektimit gjatë sezonit të aktivitetit të mushkonjave. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com