Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ka parandaluar një rast të tentim-kontrabandimit të mallrave në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Prush, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Sipas njoftimit të datës , gjatë kontrollit të automjeteve në hyrje të Republikës së Kosovës, zyrtarët doganorë kanë përzgjedhur një automjet për kontroll të detajuar.
Fillimisht, drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk posedonte mallra apo mjete monetare për deklarim. Megjithatë, gjatë kontrollit të realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë zbuluar 504 copë Barium Sulfate (Bariumsulfate) të padeklaruara, të fshehura në bagazhin e automjetit.
Sipas Doganës, personi ka tentuar t’i fusë mallrat në territorin doganor të Republikës së Kosovës pa i paraqitur për kontroll dhe pa i deklaruar pranë autoriteteve doganore, veprim që përbën kundërvajtje sipas Kodit Doganor dhe të Akcizave.
Mallrat janë ndaluar dhe sekuestruar nga Dogana e Kosovës, ndërsa ndaj rastit do të zhvillohen procedurat e mëtejshme administrative dhe kundërvajtëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe ekonomisë joformale, duke shtuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të zbatimit të ligjit do të vazhdojë të ndërmarrë masa për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në pikat kufitare dhe në gjithë territorin e vendit.
