Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur edhe të premten se do të mbetet ne opozitëduke kërkuar njëkohësisht që të përmbyllet konstituimi i Kuvendit dhe t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, përmes një letre drejtuar Albin Kurtit të premten, ka thënë se qëndrimi i partisë së tij ishte bërë i qartë edhe në takimin e 10 korrikut dhe në përgjigjen e 3 gushtit. “Për shkak të dallimeve tona programore dhe konceptuale, Partia Demokratike e Kosovës do ta ushtrojë përgjegjësinë e saj në opozitë, brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Aty do ta japim kontributin tonë për forcimin e demokracisë, mbrojtjen e interesit shtetëror dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve”, thuhet në letrën e Hamzës. Kreu i PDK-së i ka kërkuar Kurtit që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për përfundimin e konstituimit të Kuvendit, në përputhje me afatin e përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Kurti: Pa marrëveshje për presidentin, konstituimi i Kuvendit do të çonte vendin në zgjedhje të reja “Nga ju kërkojmë që sot, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, të ndërmerrni hapat e nevojshëm për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit dhe t’i hapet rrugë formimit të institucioneve të reja”, thuhet në letër.
Hamza ka konfirmuar se PDK-ja do të japë votat e saj për përfundimin e procesit të konstituimit të legjislativit. “Partia Demokratike e Kosovës do të japë kontributin e saj për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hamza.
Ndryshe të enjten, Kurti bëri të ditur se mbetet i interesuar për vazhdimin e dialogut me LDK-në, por njëkohësisht u bëri thirrje edhe Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës që të përfshihen në bisedime. “Jam i interesuar të vazhdoj diskutimin për marrëveshje me LDK-në, por edhe njëherë i bëj thirrje Ardian Gjinit të Aleancës dhe Bedri Hamzës të PDK-së që të takohemi e të bisedojmë.
Nëse kryetari i Kuvendit i takon partisë fituese dhe formimi i qeverisë është përgjegjësi e jona, zgjedhja e presidentit është përgjegjësi edhe e Aleancës dhe PDK-së. Na duhet bashkëbisedim”, deklaroi Kurti.
