Mesfushori shqiptar Ardon Jashari ka krahasuar filozofinë e trajnerit të ri të Milanit, Ruben Amorim, me atë të Massimiliano Allegrit, duke vlerësuar stilin ofensiv të portugezit. Edhe pse shprehu respekt për Allegrin, deklaratat e tij janë interpretuar si një kritikë e tërthortë ndaj ish-trajnerit, nën drejtimin e të cilit pati pak hapësirë.
I transferuar te Milani në gusht të vitit 2025, Ardon Jashari nuk arriti të kishte rolin e pritur gjatë periudhës kur skuadra drejtohej nga Massimiliano Allegri. Një dëmtim në pjesën e parë të sezonit ndikoi gjithashtu që mesfushori shqiptar, i cili përfaqëson Zvicrën, të mbetej larg formacionit.
Në një prononcim të fundit, Jashari foli për dallimet mes filozofive të trajnerëve, duke theksuar se e pëlqen mënyrën se si Ruben Amorim e koncepton futbollin. “Kam respekt për trajnerin, që në Itali ka fituar shumë. Besoj se secili ka idetë e veta dhe mënyrën e vet për ta shprehur futbollin. Kështu është”, u shpreh Jashari për Allegrin. Më pas ai lavdëroi trajnerin aktual të Milanit.
“Me Amorimin ka një frymë të re. Futbollin që ai propozon e vlerësoj shumë. Kërkon që të dominojë, duke luajtur me intensitet të lartë”, ka theksuar ai. Deklaratat e Jasharit janë parë si një thumbim ndaj Allegrit, pasi mesfushori kishte mbetur në plan të dytë gjatë drejtimit të tij dhe kishte pritur më shumë hapësira në skuadër.
Nën drejtimin e Amorimit, ai synon të fitojë një rol më të rëndësishëm dhe të tregojë potencialin e tij.
