Fenomeni i armëmbajtjes vazhdon të mbetet shqetësues në Kosovë. Një tjetër armë zjarri është sekuestruar nga Policia gjatë një kontrolli rutinë në Skenderaj, ndërsa pronari i saj ka përfunduar nën hetim. Sinjali mëson se i dyshuari është Shkodran Dobra , .
Burimet bëjnë të ditur se njësia e Reagimit të Shpejtë e Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Jugut, gjatë patrullimit në rrugën “Kamer Loshi” në Skenderaj, ka ndaluar një automjet me targa vendore për kontroll. Gjatë verifikimit, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se posedonte armë zjarri dhe ka paraqitur edhe kartelën e lejes për armë të shkurtër, të lëshuar nga Republika e Kosovës.
Megjithatë, pas procedurave policore dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, arma është sekuestruar, ndërsa ndaj tij është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar.
Rasti vjen në një kohë kur Policia po raporton pothuajse çdo ditë për sekuestrime armësh në qytete të ndryshme të vendit, duke rikthyer shqetësimet për numrin e madh të armëve që qarkullojnë në duart e qytetarëve. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
