Galeria Kombëtare e Kosovës ka prezantuar dy vepra të rëndësishme të piktorit të njohur Muslim Mulliqi, “Para fortune” (1984) dhe “Në kërkim të hapësirave të reja” (1984), në kuadër të ekspozitës “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë”, të kuruar nga Hana Halilaj. Muslim Mulliqi konsiderohet një ndër figurat më të shquara të artit modern në Kosovë.
Ai njihet për gjuhën e tij ekspresioniste, të karakterizuar nga ngjyra të forta, vizatime të mprehta dhe kontraste të theksuara. Frymëzimin e gjen te format tradicionale si kullat, figurat njerëzore, simbolet dhe natyra, të cilat i transformon në kompozime moderne me një ngarkesë të fuqishme artistike.
Në veprën “Para fortune”, figurat dhe format arkitekturore bashkohen nën një qiell të trazuar, ndërsa forma harkore krijon idenë e një kufiri ose ndarjeje. Ndërkaq, “Në kërkim të hapësirave të reja” paraqet një figurë të zgjatur mbi një terren të errët, të rrethuar nga fragmente lundruese që kujtojnë zogj dhe forma organike.
Sipas Galerisë Kombëtare të Kosovës, të dyja veprat trajtojnë tensionin mes rrezikut dhe lëvizjes, ndërsa titujt e tyre e thellojnë këtë përjetim: njëri paralajmëron një çarje, ndërsa tjetri shpreh kërkimin për një horizont të ri. Përmes kompozimeve dhe figurave në transformim, Mulliqi i jep formë kompleksitetit të botës së brendshme dhe realitetit që e rrethon njeriun.
Ekspozita “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë”, e kuruar nga Hana Halilaj, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
