Nëse në Gjermani rikthehet rekrutimi ushtarak, shërbimi ushtarak civil do të rikthehet gjithashtu si alternativë. Kritika nga opozita. Kushtetuta gjermane garanton se askush nuk mund të detyrohet të shërbejë në ushtri me armë.
Nëse rikthehet rekrutimi ushtarak, do të duhet të ketë edhe një shërbim civil për të rinjtë që refuzojnë shërbimin ushtarak për arsye të “kundërshtimit të ndërgjegjes”.
Kjo është arsyeja pse Ministria për Familjen, e udhëhequr nga politikania e CDU-së Karin Prien, ka kontaktuar 23 organizata dhe shoqata të mëdha në muajt e fundit për të kontrolluar se çfarë kapaciteti do të kishin për të pranuar punonjës civilë në rast të rikthimit të shërbimit civil. 22 prej tyre u përgjigjën se në përgjithësi ishin të gatshëm të pranonin njerëz që do të bënin shërbim civil.
CDU në pushtet beson se është mirë të planifikohet paraprakisht. Kryetari i grupit parlamentar të Unionit, Thorsten Frei, i tha RTL dhe ntv se është “shumë e zgjuar dhe e drejtë” që Ministria për Familjen po përgatitet për një skenar të tillë. Megjithatë, ai theksoi se nuk ka pasur përparim të ri në diskutimin mbi rikthimin e rekrutimit ushtarak.
Shërbimi ushtarak mbetet vullnetar Për momentin, shërbimi ushtarak në Gjermanimbetet vullnetar. Kjo u ra dakord pas negociatave të gjata mes partnerëve në koalicioi – Unionit konservator (CDU/CSU) dhe Partisë Socialdemokrate (SPD). Rekrutët e rinj në Gjermani Nëse do të mbetet kështu varet edhe nga sa ushtarë të rinj arrin të rekrutojë Bundeswehri në muajt dhe vitet e ardhshme.
Qëllimi është ambicioz: numri ushtarëve në Gjermani duhet të rritet nga 185,000 në të paktën 260,000 ushtarë deri në vitin 2030. Gjermania dëshiron të forcojë mbrojtjen e saj dhe të përmbushë detyrimet e saj ndaj NATO-s. Siç tha kancelari Friedrich Merz (CDU), qëllimi është që Bundeswehritë bëhet “ushtria më e fortë konvencionale në Evropë”.
Numri i aplikimeve është në rritje Një model i ri i shërbimit ushtarak vullnetar ka qenë në fuqi që nga fillimi i vitit. Ai parashikon kushte më të mira për vullnetarët, por edhe detyrime të caktuara për të gjithë burrat tetëmbëdhjetë vjeç. Ata duhet të plotësojnë një pyetësor në të cilin deklarojnë nëse janë të gatshëm të shërbejnë në Bundeswehr.
Megjithatë, vetë shërbimi ushtarak ende nuk është i detyrueshëm. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, rekrutimi po ecën sipas planit dhe objektivat për vitin 2026 duhet të përmbushen. Por ka dhe lajme të tjera më shqetësuese lidhur me numrin e të rinjve që vullnetarisht duan të shërbejnë.
Rikthim i mundshëm Rikthimi i shërbimit ushtarak me detyrim nuk është aktualisht në rend dite, por mund të bëhet një opsion në afat të mesëm. Rekrutimi dhe shërbimi civil ishin në fuqi në Gjermani deri në vitin 2011, kur u pezulluan, por nuk u fshinë nga Kushtetuta. Kjo do të thotë që parlamenti mund t’i riaktivizojë ato me ligj nëse rrethanat e sigurisë e kërkojnë këtë.
Në vitin 2011, shërbimi civil u zëvendësua nga Shërbimi Vullnetar Federal, i hapur për njerëz të të gjitha moshave dhe të të dy gjinive, ndërsa rekrutimi më parë zbatohej vetëm për burrat.
Rekrutët e rinj Skepticizmi i organizatave shoqërore Edhe pse organizatat e mëdha humanitare dhe shoqërore kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në rikthimin e mundshëm të shërbimit të detyrueshëm civil, ato paralajmërojnë se kjo nuk mund ta zgjidhë mungesën kronike të punonjësve në sektorin shoqëror.
Eva Maria Welskop-Deffaa, Presidente e Caritas në Gjermani, i tha ARD se përparësia duhet të jetë përmirësimi i kushteve për shërbimin vullnetar. “Para së gjithash, ne duam të përmirësojmë kushtet për shërbimin vullnetar. Ka ende shumë hapësirë për përmirësim këtu,” tha ajo.
Kritikat e opozitës Partia opozitare E Majta është shprehur gjithashtu kundër kthimit të mundshëm të shërbimit të detyrueshëm civil. Kryetarja e saj, Ines Schwerdtner, beson se shteti nuk duhet t’u diktojë të rinjve se si do ta kalojnë një vit të jetës së tyre, qoftë përmes shërbimit ushtarak apo civil.
Ajo gjithashtu paralajmëron se të rinjtë nuk duhet të bëhen “zëvendësim për shtetin e mirëqenies që qeveria e ka lënë pas dore për vite me radhë përmes masave shtrënguese”. Sipas saj, sektorë të tillë si kujdesi, shërbimet e emergjencës dhe institucionet sociale kanë nevojë për punëtorë profesionistë, jo për “punë të lirë që shteti detyrohet të punësojë”.
Ministria e Familjes planifikon të paraqesë propozimet e saj pas pushimeve verore.
