Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur keqardhje që Kuvendi i Kosovës nuk u konstituua në seancën e sotme, ndonëse ajo u mbajt pasi ishin konsumuar 29 nga 30 ditët e afatit kushtetues për përfundimin e këtij procesi.
Në një reagim, KDI vlerëson se mosushtrimi i së drejtës kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, si subjekti politik me numrin më të madh të deputetëve, për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, pamundësoi vazhdimin e procedurës dhe çoi në ndërprerjen e seancës. Sipas KDI-së, ndërprerja e seancës nuk përbën në vetvete shkelje të afatit kushtetues, pasi ai ende nuk ka përfunduar.
Megjithatë, organizata rikujton se, bazuar në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, seanca konstituive duhet të përmbyllet më së voni deri nesër, duke përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit.
KDI ka mirëpritur përpjekjet për dialog dhe arritjen e marrëveshjeve politike ndërmjet partive parlamentare, por ka theksuar se konsultimet politike nuk e pezullojnë detyrimin kushtetues për përfundimin e konstituimit të Kuvendit brenda afatit të përcaktuar.
“Dialogu politik dhe respektimi i afateve kushtetuese nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, por duhet të zhvillohen paralelisht”, thuhet në reagim.
Organizata thekson se bisedimet politike mund të vazhdojnë, veçanërisht për çështjen e zgjedhjes së presidentit, por fillimisht duhet të përfundojë konstituimi i Kuvendit, në mënyrë që të nisë afati kushtetues 60-ditor për zgjedhjen e kreut të shtetit.
KDI rikujton se afati që përfundon nesër lidhet ekskluzivisht me konstituimin e Kuvendit dhe jo me arritjen e marrëveshjes për presidentin e ri. Në fund, KDI i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që, pa vonesë, ta ushtrojë të drejtën dhe përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Po ashtu, organizata u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të marrin pjesë në procesin e votimit dhe të kontribuojnë në përmbylljen e konstituimit të plotë të Kuvendit të Kosovës./Telegrafi.
