Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një reagim lidhur me dokumentin “Besa”, të cilin e ka prezantuar si metodën e re të punës për mandatin e katërt qeverisës. Në një postim në rrjetet sociale, Rama e ka përmbledhur kuptimin e kësaj qasjeje me katër fjalë: “Besim, Empati, Shërbim dhe Angazhim”.
Sipas tij, dokumenti synon rikthimin e besimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve, si dhe afrimin e administratës me nevojat e njerëzve. “Besimi nuk vritet me një krismë, largohet kur trazohet uji, nuk kthehet me një thirrje, por vetëm kur gjen ujin miqësor”, kishte deklaruar Rama gjatë prezantimit të kësaj ideje.
Kryeministri tha se sfida e mandatit të katërt do të jetë rikthimi i një marrëdhënieje më të fortë me qytetarët, përmes empatisë, shërbimit dhe angazhimit institucional.
“Puna e mandatit të katërt është të mbledhim nga të gjitha burimet ujin e trazuar të besimit dhe ta bëjmë këtë me empati, dhe flamingot do të kthehen. ‘Rilindja 2.0’ është emri që ne i vumë ciklit të ri politik, ‘Besa’ është metoda për ta kthyer atë cikël në një përvojë të re për qytetarët e Shqipërisë”, tha Rama. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
