Gazeta Sinjali raportoi më për plagosjen me armë zjarri të zyrtarit të Inspektoratit Policor të Kosovës, Arsim Beqiri, në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, ndërsa sot Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se dy persona janë ndaluar për 48 orë lidhur me këtë rast.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit me inicialet A.D. dhe L.D. janë paraqitur në Policinë e Kosovës, pas së cilës, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar nën dyshimin për veprat penale “Lëndimi i rëndë trupor”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosja”.
Prokuroria ka bërë të ditur se gjatë veprimeve hetimore janë siguruar prova që mbështesin dyshimin e bazuar, ndërsa ka konfirmuar se rasti lidhet me ngjarjen e 23 marsit në Prishtinë, ku i dëmtuar ishte një zyrtar i IPK-së. Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht se i plagosuri ishte inspektori Arsim Beqiri, ndërsa si i dyshuar për të shtënat ishte identifikuar Agon Dulla.
Sipas informacioneve që Sinjali kishte siguruar nga burime pranë vendit të ngjarjes, i dyshuari ishte pronar i një shisha-bari në atë zonë, ndërsa Beqiri banonte afër lokalit. Mes palëve dyshohej se më herët kishte pasur mosmarrëveshje, përfshirë intervenime të Policisë pas thirrjeve të bëra nga zyrtari i IPK-së.
Ngjarja kishte ndodhur në shkallët e objektit, pas një përplasjeje verbale që dyshohej se lidhej edhe me vendosjen e kamerave në lokalin afarist. Sipas rrethanave paraprake të raportuara atëherë, situata kishte eskaluar kur Beqiri kishte çuar dorën drejt brezit apo çantës ku dyshohej se mbante armën zyrtare, ndërsa i dyshuari kishte shtënë nga afërsia, duke e plagosur në këmbë.
Pas incidentit, zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, kishte konfirmuar se i plagosuri ishte zyrtar i këtij institucioni, por kishte sqaruar se ngjarja nuk ndërlidhej me detyrën e tij zyrtare. “IPK ju konfirmon se në incidentin e raportuar rreth orës , në rrugën ‘B’ në Prishtinë, është plagosur një zyrtar i IPK-së. Incidenti nuk ndërlidhet me detyrën zyrtare”, kishte deklaruar Beka.
Ndërkohë, drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, kishte bërë të ditur se gjendja e Beqirit ishte stabile dhe se ai ndodhej jashtë rrezikut për jetë. Prokuroria njofton se hetimet dhe veprimet procedurale po vazhdojnë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim të sigurimit të provave dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave të rastit.
IPK: Plagosja e hetuesit nuk ndërlidhet me detyrën zyrtare Plagosja e inspektorit të IPK nga Agon Dulla, Policia zbardhë detajet e fundit për rastin Ekskluzive | Ky është i dyshuari për plagosjen e inspektorit të IPK-së në Breg të Diellit Ekskluzive | Ky është inspektori i IPK-së që u plagos në Breg të Diellit – jashtë rrezikut për jetë Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
