Partia Demokratike në Krujë ka organizuar një ceremoni përkujtimore në nder të Major Abaz Kupit, me rastin e ditëlindjes së tij. Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të së djathtës, familjarë të fisit Kupi dhe qytetarë, ndërsa u vlerësua kontributi i tij në historinë e Shqipërisë.
Në një postim në rrjetet sociale, kandidati për deputet i PD-së, Aulon Kalaja, u shpreh se figura e Abaz Kupit meriton më shumë vlerësim institucional, duke kërkuar ngritjen e një shtatoreje në Krujë dhe rishikimin e mënyrës se si trajtohet roli i tij në historinë shqiptare. “Kruja i çmon bijtë e saj. Politika i ka harruar me ose pa qëllim.
Ne nuk na duhet konsullata serbe në Shkodër, por na duhet shtatorja e Abaz Kupit në Krujë. Në Europën Perëndimore kjo shtëpi do të ishte kthyer muze apo jo. E vërteta është që rezistenca anti-fashiste në Durrës u organizua nga Major Abaz Kupi. Këtë duhet ta shkruajmë në histori. Këtë duhet t’ia mësojmë brezave” , tha ndër të tjera Kalaja.
