Blerim Kotobelli nuk do të jetë më pjesë e Teutës. Pasi ishte fillimisht kapiteni që e zyrtarizoi në profilin e tij këtë ndarje, tashmë është vetë klubi durrsak që ka mbajtur një reagim përmes një komunikimi në rrjetet sociale. Lajmi i cili u raportua tre ditë më parë nga “Newsport.al” fliste për një ndryshim planesh në kampin e skuadrës, me emërimin në stol të trajnerit Edlir Tetova.
Kjo kthesë e papritur vjen në një moment kyç për Teutën e cila i ka hyrë një procesi të plotë transformimi, ndërsa Kotobelli në anën tjetër bëhet një “okazion” për klubet e tjera të Superiores. Nuk përjashtohen as ofertat jashtë vendit, me mbrojtësin e krahut të majtë që do të marrë kohë për të vendosur fatin e së ardhmes. NJOFTIMI I KLUBIT: Faleminderit, kapiten Blerim Kotobelli!
KF Teuta shpreh mirënjohjen dhe falënderimin më të sinqertë për kapitenin Blerim Kotobelli për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm me fanellën blu. Me shpirt luftarak, pasion dhe udhëheqje brenda dhe jashtë fushës, Blerimi ka qenë një shembull i vërtetë për klubin dhe për tifozët tanë.
Faleminderit për çdo sakrificë, për çdo emocion dhe për çdo moment të paharrueshëm. Emri yt do të mbetet gjithmonë pjesë e historisë së KF Teutës. Të urojmë suksese në çdo hap të ri të karrierës dhe jetës!.
