Një shtetase e huaj ka humbur jetën në Himarë, ndërsa paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë një problem shëndetësor. Sipas dëshmisë së bashkëshortit, gruaja kishte pasur probleme shëndetësore edhe në vendin ku jetonin.
Ata kishin planifikuar të kryenin një vizitë mjekësore, por pasi erdhën në Shqipëri për pushime, e neglizhuan kontrollin, raporton A2cnn Një ditë para ngjarjes, çifti kishte dalë për të bërë hiking në një zonë malore. Pas rreth 20 minutash ecje, gruaja i ka thënë bashkëshortit se nuk ndihej mirë dhe se kishte vështirësi në frymëmarrje. Ata janë kthyer në banesën ku qëndronin në Himarë.
Më pas, gruaja ka vjellë dhe bashkëshorti ka shkuar në farmaci, ku ka marrë një ilaç kundër të vjellave. Kur është kthyer në banesë, e ka gjetur bashkëshorten pa ndjenja. Ai ka kërkuar menjëherë ndihmë dhe është nisur drejt spitalit me autoambulancën e Himarës. Por gjatë transportit, gjendja e saj është përkeqësuar dhe ajo ka ndërruar jetë.
Në zonë është nisur edhe një helikopter për ndërhyrje, por pasi ekipet janë njoftuar se turistja kishte ndërruar jetë, helikopteri nuk ka kryer uljen. Pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.
