Dogana ndalon në Vërmicë produkte për trajtimin e flokëve në vlerë

0%

Dogana e Kosovës ka parandaluar një tentim të importit të mallrave të padeklaruara në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë. Sipas Doganës, gjatë kontrolleve të rregullta në hyrje të Kosovës, zyrtarët kanë ndaluar për kontroll një automjet me targa të një shteti fqinj. Udhëtari, shtetas i huaj, gjatë intervistimit ka deklaruar se nuk kishte mallra apo mjete monetare për të deklaruar.

“Bazuar në indikatorët e analizës së rrezikut dhe dyshimet e krijuara gjatë kontrollit fillestar, zyrtari doganor kërkoi kryerjen e një kontrolli të detajuar të automjetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Doganës. Gjatë kontrollit janë gjetur produkte për trajtimin e flokëve, me vlerë të përafërt prej 4,600 eurosh.

Sipas autoriteteve, poseduesi nuk kishte dokumentacion përcjellës apo faturë që dëshmonte origjinën dhe importimin e rregullt të mallrave.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Dogana ka theksuar se, përveç shmangies së obligimeve doganore, importimi i produkteve të tilla jashtë procedurave ligjore paraqet edhe rrezik potencial për shëndetin publik, pasi ato nuk i nënshtrohen kontrolleve për sigurinë, përbërjen dhe përmbushjen e standardeve të kërkuara.

“Përveç shmangies së obligimeve doganore, rasti paraqet edhe një rrezik potencial për shëndetin publik, pasi produktet kozmetike dhe ato për trajtimin e flokëve, kur importohen jashtë procedurave ligjore, nuk i nënshtrohen kontrollit të autoriteteve kompetente”, thuhet në komunikatë.

Sipas Doganës, rasti përbën kundërvajtje doganore në bazë të dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave, ndërsa janë ndërmarrë veprimet procedurale dhe administrative të parapara me legjislacionin në fuqi.

“Dogana e Kosovës mbetet e angazhuar në parandalimin e hyrjes dhe qarkullimit të mallrave të padeklaruara, duke kontribuar në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, ruajtjen e konkurrencës së ndershme në treg dhe mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim. / Telegrafi / Dogana ndalon në Vërmicë produkte për trajtimin e flokëve në vlerë rreth 4,600 euro

Burimi: Telegrafi