Një vit pas reagimit publik për dëmtimin e paneleve informuese në Lokalitetin Arkeologjik në Sheshin e Lidhjes në Prizren, gjendja në këtë hapësirë vazhdon të mbetet e pandryshuar. Organizata EC Ma Ndryshe ka bërë të ditur se panelet e dëmtuara ende nuk janë riparuar, duke cenuar funksionin informues dhe edukativ të këtij lokaliteti, si dhe përvojën e qytetarëve dhe vizitorëve.
Lokaliteti Arkeologjik në Sheshin e Lidhjes konsiderohet pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore të Prizrenit dhe paraqet një hapësirë me vlera historike e arkeologjike. Sipas EC Ma Ndryshe, mirëmbajtja e elementeve përcjellëse, përfshirë panelet informuese, është e domosdoshme për prezantimin dhe interpretimin e duhur të kësaj trashëgimie.
EC Ma Ndryshe u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa për riparimin ose zëvendësimin e paneleve të dëmtuara dhe të sigurojnë mirëmbajtje të vazhdueshme të kësaj hapësire. Po ashtu, organizata ka apeluar tek qytetarët që të tregojnë kujdes ndaj aseteve publike dhe të kontribuojnë në ruajtjen e hapësirave të trashëgimisë kulturore.
