Mospengimi i asnjë rakete ruse gjatë një sulmi të madh ajror gjatë natës, këtë javë, ka ngritur shqetësime të reja për furnizimet gjithnjë e më të pakta të Kievit me armë penguese të mbrojtjes ajrore, ndërsa Moska po intensifikon sulmet me raketa balistike ndaj kryeqytetit pothuajse të pambrojtur dhe rajoneve të tjera ukrainase.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se dërgesat e raketave penguese të atyre balistike nga vendet partnere kanë rënë ndjeshëm, duke e lënë Ukrainën të ekspozuar ndaj sulmeve vdekjeprurëse që Rusia po i kryen gjithnjë e më shumë.
Pas një takimi me udhëheqjen ushtarake të Ukrainës, më 2 gusht, për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, Zelensky tha se Ukraina kishte marrë vetëm një të tretën e numrit të raketave penguese këtë vit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. “Partnerët tanë i kanë raketat.
Ajo që nevojitet janë vendimet e nevojshme politike për dërgesat dhe për përshpejtimin e prodhimit, përfshirë edhe lokalizimin e prodhimit në Ukrainë”, tha Zelensky. Ministrja e Jashtme e Letonisë, Baiba Braze, e cila ndodhej në Kiev gjatë sulmit më të fundit, më 5 gusht, dënoi goditjet e fundit ruse, të cilat ndriçuan qiellin e natës me shpërthime masive.
“Ishte një sulm i neveritshëm ndaj ukrainasve. Isha në strehimore së bashku me shumë prej tyre, dhe admirova qëndrueshmërinë e tyre. Rusia është një shtet terrorist dhe duhet të frenohet”, shkroi ajo në X. Edhe ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, u bëri thirrje aleatëve që të mos ngadalësojnë ndihmën ushtarake.
Duke folur më 5 gusht, ai tha: “S ulmet ruse nuk marrin pushime verore; as mbështetja për Ukrainën dhe as presioni ndaj agresorit nuk duhet të ndalen. Çdo raketë penguese ka rëndësi. Ato janë mjete që shpëtojnë jetë”.
Paqartësitë për rezervat amerikane Raketat penguese Patriot mbeten mbrojtja më efektive e Ukrainës kundër raketave balistike ruse, por po shtohen pyetjet se sa raketa penguese shtesë mund të sigurojë realisht Uashingtoni.
Javën e kaluar, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) vlerësoi se Shtetet e Bashkuara kanë përdorur më shumë se gjysmën e rezervave të tyre të raketave penguese Patriot PAC-3 MSE dhe THAAD, gjatë operacioneve ushtarake kundër Iranit këtë vit.
Raporti vlerësoi se rezervat amerikane të raketave penguese Patriot PAC-3 MSE kanë rënë nga më shumë se 2.300 para konfliktit, i cili nisi në shkurt, në rreth 800, ndërsa rezervat e raketave penguese THAAD pothuajse janë përgjysmuar.
Mark Cancian, këshilltar i lartë në CSIS dhe bashkautor i raportit, i tha Radios Evropa e Lirë se mungesat i lënë Uashingtonit pak hapësirë për të furnizuar Ukrainën. “Ukraina nuk do të jetë në gjendje të presë shumë raketa penguese – ose ndonjë raketë penguese – nga Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë. SHBA-ja ka përdorur në masë të madhe rezervat e veta.
Jemi në rreth 800 ose 900 [raketa penguese] Patriot. Planifikuesit ushtarakë amerikanë nuk duan të zbresin nën këtë nivel, ndaj do të ishte shumë e vështirë të siguroheshin të tilla për Ukrainën, ose edhe nga prodhimi i ri”, tha Cancian.
Ai shtoi se Ukraina mund të duhet në vend të kësaj të kërkojë raketa të prodhimit sovjetik S-300 nga vendet që ende e përdorin këtë sistem, dhe të rrisë përpjekjet për shkatërrimin e lëshuesve rusë të raketave para se ato të mund të përdoren. Vlerësimi i tij bie ndesh me garancitë publike të administratës Trump.
CNN, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, raportoi më 4 gusht se rezervat e Patriotëve kishin rënë në nivele “rrezikshmërisht të ulëta”. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e hodhi poshtë këtë raport, duke e quajtur “lajm të rremë”.
Vetëm disa ditë më herët, Pentagoni njoftoi marrëveshje me Lockheed Martin dhe Northrop Grumman për të zgjeruar prodhimin e raketave penguese Patriot PAC-3 dhe THAAD. Presidenti amerikan, Donald Trump, këmbënguli më 6 gusht se Shtetet e Bashkuara kanë “sasi masive” municionesh.
Trump, gjithashtu, kishte premtuar se do ta lejonte Ukrainën të prodhonte raketa penguese Patriot, por më pas dukej se u tërhoq nga ky premtim disa ditë më vonë. “ Për më tepër, sasi të mëdha po prodhohen dhe po dërgohen në SHBA sipas nevojës.
Kompanitë e mbrojtjes po ndërtojnë numrin më të madh të fabrikave dhe impianteve në historinë e vendit tonë”, shkroi ai në platformën e tij, Truth Social. “‘Rrjedhësit’ e këtyre deklaratave tradhtare po kërkohen. Do të kërkohen dënime të gjata me burg !”, shtoi ai.
Megjithatë, zyrtarë të administratës amerikane, që folën për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, thanë se vlerësimet e CSIS pasqyrojnë në përgjithësi gjendjen aktuale të rezervave amerikane të raketave penguese. Cancian tha se rindërtimi i këtyre rezervave do të marrë vite, pavarësisht përpjekjeve për të përshpejtuar prodhimin.
“Shtetet e Bashkuara po e zgjerojnë prodhimin”, tha ai. “Para luftës në Ukrainë, prodhoheshin rreth 300 raketa penguese Patriot në vit. Tani kemi arritur në rreth 600. Po përpiqemi të arrijmë në 2.000 në vit, por kjo do të zgjasë të paktën deri në vitin 2030”. Edhe atëherë, tha ai, Ukraina do të duhet të konkurrojë me partnerë të tjerë të SHBA-së për prodhimin e ri.
“Vendet e Gjirit kanë përdorur shumë nga sistemet e tyre Patriot [në konfliktin aktual në Gjirin Persik]. Ato duan që rezervat e tyre të plotësohen, kështu që do të ketë shumë konkurrencë për prodhimin e ri. Mund të duhen katër ose pesë vjet para se oferta të përputhet me kërkesën”.
Rreziqet për Ukrainën Mundësia e furnizimeve më të pakta amerikane me raketa penguese ngre dilema të menjëhershme për Ukrainën, ndërsa Rusia po shton sulmet me raketa para një tjetër dimri.
Duke e bërë situatën edhe më urgjente, disa raportime mediatike, përfshirë nga Reuters, kanë cituar burime nga inteligjenca ushtarake ukrainase, duke thënë se një njësi raketore e Koresë së Veriut ka nisur dislokimin në Rusinë perëndimore, dhe mund të jetë e pajisur me deri në 120 raketa balistike dhe gjashtë lëshues për sulme ndaj Ukrainës.
Kervin Aucoin, veteran i ushtrisë amerikane dhe ish-analist i inteligjencës ushtarake, tha se reduktimi i rezervave amerikane do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme te Kievi. “Nuk do të jetë zero, por do të jetë shumë më pak nga sa Ukraina priste” , i tha Aucoin Radios Evropa e Lirë.
Megjithatë, ai argumentoi se Ukraina është përshtatur vazhdimisht ndaj ndryshimeve në kushtet e fushëbetejës. “ Ukraina po bën një punë të shkëlqyer… Nëse nuk mund të mbështetet te SHBA-ja, fatkeqësisht do të mbështetet te qëndrueshmëria e saj dhe do të vazhdojë të ketë sukses në fushëbetejë”, tha ai.
Me kalimin e kohës, tha ai, Ukraina mund të drejtohet gjithnjë e më shumë drejt teknologjive më të lira, përfshirë mbrojtjen ajrore me dronë dhe sistemet me lazer, në vend që të mbështetet kryesisht te raketat e kushtueshme penguese Patriot.
Senatori republikan Rick Scott, nga Florida, i cili kryeson nënkomitetin e Senatit për Shërbimet e Armatosura, i tha Radios Evropa e Lirë se beson që Shtëpia e Bardhë mbetet e përkushtuar për ta mbështetur Ukrainën. “Kur flas me njerëzit në Shtëpinë e Bardhë, ata janë absolutisht të përkushtuar për ta mbështetur Ukrainën.
Jam i bindur se ata do t’i ofrojnë Ukrainës armët që i nevojiten, kur i nevojiten”. Cancian, gjithashtu, paralajmëroi se rezervat e pakësuara amerikane mund të ndikojnë në mënyrën se si kundërshtarët e SHBA-së e vlerësojnë gatishmërinë ushtarake të Uashingtonit. “Kina është ajo për të cilën Shtetet e Bashkuara janë më së shumti të shqetësuara”, i tha ai Radios Evropa e Lirë.
“Përdorimi i kaq shumë raketave penguese ka krijuar një dritare cenueshmërie dhe Kina mund të përpiqet ta shfrytëzojë këtë”. Ai shtoi se edhe Irani mund të nxjerrë përfundime të ngjashme: “Irani me siguri po e vëzhgon këtë, dhe po mendon se Shtetet e Bashkuara mund të mos jenë të gatshme të rifillojnë armiqësitë për shkak të këtyre mungesave në rritje”.
Sytë nga Evropa Me furnizimet amerikane në pikëpyetje, Ukraina po shikon gjithnjë e më shumë drejt aleatëve evropianë. Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, së voni ha se Uashingtoni po shqyrton prodhimin e përbashkët të raketave penguese Patriot me Ukrainën dhe partnerët evropianë.
Megjithatë, ai theksoi se prioriteti i menjëhershëm është t’i sigurohen Ukrainës kapacitetet e mbrojtjes ajrore që i nevojiten për të mbijetuar një dimër tjetër, qoftë përmes aleatëve që kanë raketa rezervë, qoftë përmes rritjes së prodhimit në fabrikat amerikane. Kievi tashmë ka nisur këtë përpjekje.
Në fillim të korrikut, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Mykhaylo Fedorov, u dërgoi kërkesa pothuajse 40 vendeve për transferimin e përkohshëm të raketave penguese Patriot nga rezervat ekzistuese, duke propozuar që ato të zëvendësohen më vonë me raketa nga prodhimi i ardhshëm. Ukraina nuk ka bërë të ditur se cilat vende i kanë marrë këto kërkesa.
Brenda Bashkimit Evropian, një nga ofruesit kryesorë të ndihmës ushtarake për Ukrainën, shtatë vende operojnë sisteme Patriot: Gjermania, Polonia, Holanda, Suedia, Greqia, Spanja dhe Rumania.
Radio Evropa e Lirë i pyeti këto qeveri më 5 gusht nëse do të shqyrtonin mundësinë e furnizimit me raketa penguese shtesë, pas dështimit të Ukrainës për të penguar qoftë edhe një raketë ruse gjatë sulmit të natës. Gjermania refuzoi të komentojë çështjet operative, ndërsa edhe Rumania nuk pranoi të jepte detaje, duke e cilësuar këtë si “ çështje të sigurisë kombëtare”.
Suedia iu referua kontributit të saj prej 108 milionë dollarësh shtesë për nismën PURL, duke e çuar mbështetjen e saj totale për këtë program në 535 milionë dollarë. Holanda ka thënë më herët se tashmë ka dhuruar gjithçka që mund të shkëpusë nga rezervat e saj të Patriotëve.
Radio Evropa e Lirë pyeti ambasadoren e Ukrainës në NATO, Alyona Hetmanchuk, për gjendjen e negociatave me vendet partnere, por përgjigjja e saj nuk ishte në dispozicion deri në publikimin e këtij shkrimi.
