Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, pas përfundimit të seancës së parë konstituive të Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, ka kritikuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurtin për mënyrën se si është menaxhuar procesi i konstituimit të institucioneve.
Hamza tha se zhvillimet e seancës dëshmojnë mungesë serioziteti dhe përgjegjësie nga subjekti që ka dalë i pari në zgjedhje. “Siç edhe përcollët, kjo është një shenjë e mungesës së seriozitetit dhe përgjegjësisë nga partia që ka fituar më shumë mandate në zgjedhjet e fundit.
Thirret seanca pothuajse në ditën e fundit dhe në fund dalin, mbajnë fjalime politike, abuzojnë me ulësen e kryesuesit dhe kërkojnë ende kohë. Këto sjellje duhet të përfundojnë dhe vendit duhet t’i japin institucionet. E kemi deklaruar rolin tonë, jemi parti në opozitë.
Kushtetuta është e qartë, Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit 30-ditor nga momenti i certifikimit të zgjedhjeve”, deklaroi Hamza.
