Komuna e Junikut, në bashkëpunim me GIZ dhe organizatën CEDDE, ka ndërmarrë një aktivitet në kuadër të projektit për menaxhimin e integruar të mbeturinave, duke vendosur stikera njoftues në kontejnerët për hedhjen e mbeturinave në lagjen “Agim Ramadani”. Përveç kësaj, banorëve u janë shpërndarë udhëzues për përdorimin e duhur të shportave për ndarjen e mbeturinave dhe komposterëve.
Sipas njoftimit të Komunës, ky aktivitet synon të lehtësojë identifikimin dhe përdorimin e drejtë të pajisjeve për menaxhimin e mbeturinave, si dhe të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për ndarjen e mbeturinave në burim.
Komuna e Junikut ka bërë thirrje për angazhim të përbashkët në ruajtjen e pastërtisë dhe mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar se një mjedis më i pastër fillon nga kontributi i secilit qytetar.
