Paraqitja e Edon Zhegrovës në fitoren 1:0 të Juventusit ndaj Chelseat në miqësoren e zhvilluar në Hong Kong ka marrë vëmendje të madhe në mediat prestigjioze sportive italiane. Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës ishte protagonisti kryesor i sfidës, duke realizuar golin e vetëm të takimit dhe duke u shpallur në fund edhe “Lojtari i Ndeshjes”.
Gazetat dhe portalet më të njohura sportive në Itali, përfshirë La Gazzetta dello Sport, Tuttosport dhe Calciomercato, kanë vlerësuar paraqitjen e 27-vjeçarit, duke theksuar jo vetëm golin vendimtar, por edhe ndikimin e tij në lojën sulmuese të Juventusit.
Portali italian “Calciomercato” ka analizuar me detaje paraqitjen e Zhegrovës, duke theksuar se fillimi i ndeshjes nuk ishte ideal për futbollistin. Sipas këtij mediumi, Zhegrova pati disa humbje topash në minutat e para, por reagimi i tij ishte maksimal.
“Zhegrova e kompensoi fillimin jo të mirë me një gol të bukur dhe, pas këtij momenti, prodhoi aksione që bashkuan cilësinë teknike me efektivitetin”, shkruan “Calciomercato:. Mediumi italian vlerëson se goli ndaj Chelseat i dha sulmuesit më shumë siguri, duke e lejuar atë të shfaqte aftësitë e tij në driblim, krijimtari dhe finalizim.
Edhe “La Gazzetta dello Sport” i kushtoi hapësirë të veçantë paraqitjes së reprezentuesit kosovar. Gazeta italiane theksoi se goli i Zhegrovës ishte momenti vendimtar i sfidës dhe i dha Juventusit një fitore me peshë ndaj një kundërshtari si Chelsea. Sipas Gazzetta-s, Zhegrova realizoi me qetësi dhe saktësi pas asistimit të Kenan Yildiz, duke e dërguar topin në cepin e portës.
“Një gol që mund të hapë një kapitull të ri për Zhegrovën te Juventusi”, ishte vlerësimi i gazetës italiane për ndikimin e këtij momenti në të ardhmen e tij me klubin torinez. Mediumi kujtoi gjithashtu se ky ishte goli i parë i Zhegrovës me fanellën e Juventusit, duke e cilësuar një moment të rëndësishëm në prag të sezonit të ri.
Gazeta torineze “Tuttosport” zgjodhi një titull të fuqishëm për paraqitjen e futbollistit kosovar: “Zhegrova shkatërron Chelsean! Juve siguron një fitore prestigjioze në Hong Kong.” “Tuttosport” vlerësoi veçanërisht golin spektakolar nga distanca, duke e cilësuar si aksionin që vendosi fatin e ndeshjes.
Përveç finalizimit, gazeta italiane evidentoi edhe aftësinë e Zhegrovës për të krijuar superioritet në duelet individuale, përmes driblimeve dhe aksioneve të tij në krahun ofensiv. Vlerësimet nuk erdhën vetëm nga mediat. Edhe vetë Juventusi e shpalli Edon Zhegrovën “Lojtarin e Ndeshjes” pas fitores ndaj Chelseat..
