Pse Kosova duhet ta ketë një gjyqtar/e i/ President/e?

0%

Në ngërçin në të cilin gjendet Kosova rreth zgjidhjes së Presidentit të ardhshëm, një pyetje që ma zgjon kureshtjen sociologjike është edhe ajo se sa do të ishte profitabile për interesat e shtetit dhe kombit në përgjithësi, nëse në postin e Presidentit/es do të mund të përzgjidhej një gjyqtar/e i/e dëshmuar dhe me përvojë apolitike?

E bëj këtë pyetje, ngase, në kushtet e një polarizimi të lartë politik që po mbretëron gati dy vite të tëra, zgjedhja e një Presidenti/eje me profil të dëshmuar gjyqësor dhe apolitik do të mund, përveç tjerash, të shërbejë edhe si një mekanizëm adekuat për rritjen e besimit institucional, forcimin e kulturës kushtetuese, si dhe uljen e perceptimit të kapjes partiake të shtetit.

Në këtë kontekst, kujtoj se zgjidhja, jo ideale por reale, gjithsesi do të ishte sikur ky post të “pushtohej” nga ndonjë personalitet i sferës së drejtësisë. Këtu aludimi im ka të bëjë me ndonjë gjyqtar apo gjyqtare që në jetën e tij/saj ka një kapital të duhur moralo-politik.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Tani, nëse nisim t’i numërojmë disa cilësi apo parametra sociologjikë, e padyshim edhe disa juridikë, pse jo edhe moralë e meritokratikë, për një tip gjyqtari/e apolitik/e dhe të dëshmuar në rrethanat kosovare, midis shumë syresh, në gjykimin tim do të apostrofoja: Së pari, kriterin apo parametrin sociologjik të neutralitetit politik, që në rrethanat tona mendoj se ka individë të tillë, të cilët me historikun dhe përvojën e tyre profesionale, por edhe me indiferencën ndaj subjekteve aktuale politike, kanë mbajtur dhe ushtruar një “distancë” të konsiderueshme ndaj proceseve dhe zhvillimeve politike të vendit në dy dekadat e fundit.

Duhet thënë se ky kriter është i ndërlidhur shumë ngushtë me integritetin moral, ngase Kosova nuk është aq e madhe, pra një “xhungël” sociale, ku nuk ia njohim aq sa duhet njëri-tjetrit reputacionin dhe etikën profesionale, të ushtruar dhe filtruar përmes mekanizmave juridikë.

Së dyti, kriteri apo parametri që mendoj se është shumë i rëndësishëm për postin e Presidentit/es është ai i legjitimitetit profesional.

Këtu qartazi i kuptojmë dhe i vlerësojmë si vendimet e marra në karrierën e tij/saj, të cilat doemos do të jenë vlerësuar e bazuar në ligj dhe jo në interesat e grupeve dhe klaneve të caktuara partiake, ashtu edhe kapitalin e autoritetit dhe profesionalizmit, qoftë në situata menaxhuese apo në pjesëmarrje aktive në procesin e shtetndërtimit të Republikës.

Së treti, po mendoj për një kriter po ashtu kredibil e të rëndësishëm, që, kur të merren parasysh rrethanat në të cilat u krijua shteti i Kosovës, ka peshë të madhe dhe meriton të apostrofohet si i tillë.

Ai ka të bëjë me aftësinë për t’u rezistuar presioneve, qofshin ato partiake, ideologjike apo të klaneve të fuqishme që u fuqizuan pas luftës, pastaj grupeve të interesit dhe ndikimeve ndërkombëtare, kur ato bien ndesh me rendin kushtetues të Republikës.

Përveç këtyre, por edhe kritereve të tjera që do të duhej ta “qëndisnin” xherdanin e Presidentit/es së ardhshëm, mendoj se do të duhej të renditeshin edhe disa, si të themi, “nënkritere” shtesë, të cilat, pa asnjë dyshim, vetëm sa do ta fisnikëronin rolin e tij/saj të ardhshëm.

Ndër këto “nënkritere” do të numëroja një rejting modest të besimit publik, në mënyrë që figura apo personi që vjen me prapavijë dhe natyrë juridike vërtet të përfaqësojë ekskluzivisht neutralitet ideologjik e partiak, e jo interesat e ndonjë kampi politik apo oligarkik.

Po ashtu, mendoj se në këtë skemë të “nënkritereve” duhet ngjizur edhe aftësia, por edhe kujdesi, që ky President/e të dijë të flasë, pra të komunikojë me publikun dhe subjektet aktuale politike përmes vendimeve dhe argumenteve juridike, duke shmangur retorikën politike.

Kështu, ky tip kandidati/eje, në gjykimin tim sociologjik, do ta përmbushte edhe “nënkriterin”, apo cilësinë e nevojshme për lidership shtetëror të Republikës, që është aftësia për të mos zgjuar dyshime për vendimmarrjet e tij/saj te subjektet aktuale politike.

Pra, do të mund të numëronim edhe kritere, parime e “nënkritere” të tjera shtesë lidhur me përzgjedhjen e një Presidenti/eje konsensual/e, që, në një mënyrë, do ta ashpërsonin diskursin e përzgjedhjes në këtë post, ende, në gjykimin tim, formal.

Por shpresoj që, në një të ardhme jo fort të largët, me një reformë të zgjeruar zgjedhore, roli i Presidentit/es do të fuqizohet me kompetenca shtesë, në mënyrë që i njëjti të zgjidhet drejtpërdrejt përmes votës qytetare, e jo kompromiseve (lexo: “pazareve”) partiake.

Sepse pikërisht kjo mënyrë do ta bënte figurën e këtij posti edhe më të pranueshme, por edhe faktor unifikues në periudhën në të cilën duhet të përfundojë tranzicioni i stërzgjatur.

Burimi: Bota Sot