Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit Jugosllav Radojeviq, i dyshuar për krime kundër popullatës civile. Radojeviq po dyshohet lidhur me varrezat e dyshuara masive që janë gjetur në zonën e Zubin Potokut, ku janë duke u kryer gërmime në kërkim të mbetjeve mortore të civilëve të vrarë gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Sipas Gjykatës, masa e paraburgimit do të llogaritet nga deri më . Në seancën dëgjimore të mbajtur më , i pandehuri, bashkë me mbrojtësin e tij, Nebojsha Vllaiq, e kanë kundërshtuar kërkesën e Prokurorisë, duke theksuar se nuk ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit.
Avokati ka thënë se ky proces ka nisur me shkelje serioze të të drejtave të Radojeviqit, pasi, siç pretendon ai, Policia e ka rrahur në shtëpinë dhe veturën e tij. Madje, ai pretendon se në stacionin policor të mbrojturit të tij nuk i është lejuar ta telefonojë familjen, edhe pse kishte kërkuar një gjë të tillë.
Prandaj, avokati ka kërkuar nga Gjykata që të urdhërojë një kontroll mjekësor të të dyshuarit, përmes të cilit do të konstatohej se çfarë lëndimesh ka ai. Avokati ka thënë se e vetmja gjë në të cilën thirret Prokuroria “është deklarata e ndonjë dëshmitari anonim”, duke theksuar se e njëjta duhet të bëhet e njohur edhe për avokatin. “Ju duhet të më tregoni mua, ai është fakt vendimtar.
Unë nuk jam i interesuar ta di identitetin e dëshmitarit, vetëm më intereson çka thuhet aty, a përmendet Jugosllavi apo vetëm në gjeneral”- tha ai. Sa i përket arsyes për paraburgim, Vllaiq tha se dyshimi i bazuar nuk ekziston. “Ekzistojnë me dhjetëra aktgjykime nga Gjykata Themelore deri te ajo Supreme që thonë se veprimet e të pandehurit duhet të jenë të individualizuara.
Ne këtu ato nuk i kemi. Ne nuk e kemi as dëshminë se Jugosllavi ka qenë aty”- ka deklaruar avokati. Duke u pajtuar me deklaratat e avokatit, i pandehuri Radojeviq ka thënë se deri në vitin 2008 nuk ka qenë shtetas i Kosovës.
“Kam shumë çka të tregoj por ta keni parasysh se deri në vitin 2008 nuk kam qenë shtetas i Kosovës, gjithë ato vite kam punuar në fabrikë të mobileve ‘Simpo’”- ka deklaruar Radojeviq. Gjykata i ka kundërshtuar deklarimet e mësipërme dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
Pretendimet e Prokurorisë Speciale Prokuroria thotë se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Radojeviq, gjatë Luftës në Kosovë, më , së bashku me persona të tjerë të njohur për Prokurorinë, si pjesëtar i Mbrojtjes Territoriale Ushtarake, i cili ka qenë i mobilizuar në fshatrat e Zubin Potokut, konkretisht në fshatin Kalludër e Vogël, kanë ndaluar një grup prej 23 civilësh shqiptarë, të cilët ishin duke u përpjekur të shkonin në Mal të Zi për të shpëtuar nga lufta.
Sapo i kanë ndaluar, i kanë plaçkitur, maltretuar dhe, në fund, i kanë ekzekutuar. Bëhet fjalë për: Adem Ademin, Demir Ahmetin, Idriz Rrecin, Adem Beqirin, Hasan Dervarin, Sahit Baranin, Fatmir Fazliun, Ali Halitin, Bekim, Naser, Sali, Samir, Selim, Shaqir, Tahir, Xhemajl, Xhevdet dhe Zymer Meziun, Faton, Mahit, Nazmi, Shaip dhe Shkelzen Ujkanin, të cilët ende konsiderohen të zhdukur.
Pastaj, siç thuhet në dokument, në bashkëkryerje me të dyshuar të tjerë të identifikuar, i kanë varrosur viktimat në fundin e një livadhi, në vendin e quajtur Melaja në Kalludër të Vogël, afër lumit, me qëllim që t’i fshehin gjurmët e krimit. Ndërsa, sipas Prokurorisë, më janë vrarë edhe Sami dhe Sadete Feka, Deli Isufi dhe Rabije Isufi me armë zjarri.
Prokuroria thotë se pasi i kanë vrarë, në bashkëkryerje me të dyshuar të tjerë të identifikuar, viktimat i kanë varrosur në fshatin Jabukë të së njëjtës komunë. Prokuroria Speciale më tej pretendon se dëshmitarin Muharrem Feka e kishin ndarë nga grupi, ku fillimisht e kishin sulmuar fizikisht e pastaj e kishin urdhëruar që t’i vënte duart prapa në kokë dhe të vazhdonte në drejtim të malit.
“Të pandehurit shtënë me armë në drejtim të të dëmtuarit, të cilit i shkaktojnë plagë në kokë dhe krahror ku në atë moment viktima rrëzohet dhe humb vetëdijën por i dëgjon krismat e armëve”- thuhet në aktvendim. Pastaj, kur Fekës i ishte kthyer vetëdija, kishte vërejtur se bashkëudhëtarët, respektivisht familjarët e tij, nuk ishin aty, madje as Policia nuk ishte në vendin e ngjarjes.
I njëjti, siç thotë Prokuroria, kishte vazhduar në gjendje të rëndë, duke u futur në male dhe duke vazhduar rrugën deri në fshatin Germov, ku kishte marrë ndihmën e parë nga kushërira e tij, e cila me profesion ishte teknike medicinale.
“Faktet e përmendura vërtetohen me prova personale përkatësisht nga deklaratat e dëshmitarëve: Fadil Ademi, Sadik Kajtazaj dhe Muharrem Feka si dhe të familjarëve të viktimave, të cilat dëshmi i kanë ofruar të dhëna relevante të qarta për veprimet inkriminuese të të pandehurve të cilët përshkruajnë saktë autorët, mënyrën dhe pasojat e veprës penale”- thuhet në vendimin e Gjykatës së Prishtinës.
Gjyqtarja Medie Bytyçi ka vlerësuar se, nëse i pandehuri lihet në liri, mund të ikë në Republikën e Serbisë, ku edhe e ka shtëpinë.
Për më tepër, siç thotë Gjykata, Republika e Serbisë nuk bashkëpunon me atë të Kosovës në çështjen e dorëzimit të shtetasve të saj dhe kjo, sipas njoftimit, krijon rrezik real që, në rast të lirimit, autoritetet e drejtësisë në Kosovë të mos kenë mundësi ta sigurojnë praninë e tij në procedurë.
“Duke pasur parasysh natyrën dhe peshën e veprës penale, për të cilin ngarkohet si dhe dënimin e lartë të paraparë për këtë vepër penale, ekziston rreziku konkret që i pandehuri, me qëllim të shmangies të ndjekjes penale, të largohet dhe t’i ikë drejtëisë”- theksohet në arsyetimin e Gjykatës.
Gjykata e Prishtinës ka udhëzuar se kundër këtij aktvendimi palët mund të paraqesin ankesë brenda 48 orëve në Gjykatën e Apelit. Mirëpo, sipas Themelores, ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e aktvendimit. Gërmimet në Zubin Potok Disa ditë rresht janë kryer gërmime edhe në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut, ku, siç kishte mësuar KALLXO.com, ishin gjetur d isa mbetje mortore.
Gërmimet kanë vazhduar edhe në fshatin Jabukë, ku në orët e vona të së hënës janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të katër personave . Vlerësimet fillestare, sipas Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, tregonin se ato u përkasin viktimave të zhdukura me forcë gjatë luftës.
Më , Prokuroria Speciale kishte kërkuar që në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut të fillonin gërmimet, nën dyshimin për një varrezë masive me mbetje mortore të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë. Në lidhje me këtë rast, fillimisht ishin arrestuar dy persona. Ndërkaq, edhe një i dyshuar tjetër u arrestua nga Policia e Kosovës më , si i dyshuar për krime lufte.
Procesi i gërmimeve në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut është ende në fazën e hetimeve. Dje, më , hetimet për mbetje mortore në Zubin Potok janë zgjeruar edhe në një lokacion të tretë. Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, Prokuroria Speciale nuk ka dhënë informacione të mëtejshme.
Për gërmimet në Zubin Potok dyshohet se bëhet fjalë për “23 intelektualët”, të cilët, sipas rrëfimit të familjarëve për KALLXO.com, janë zhdukur para 27 vitesh në këtë zonë.
